Kosova ka mësuar kundërshtarët e saj në Ligën e Kombeve, pas tërheqjes së shortit që u bë sot (e enjte) në Bruksel. Kundërshtarët e Kosovës në Ligën B janë këto kombëtare: Izraeli, Austria dhe Republika e Irlandës.
Ndeshjet e para janë planifikuar nga 24 deri më 26 shtator 2026, ndërsa raundi i fundit i fazës së grupeve do të zhvillohet nga 15 deri më 17 nëntor 2026.
Ekipi i drejtuar nga Franco Foda vlen 143 milionë euro, një shumë në rritje në muajt e fundit pas paraqitjeve të shkëlqyera të lojtarëve në ekipet e tyre.
Kosova në renditjen e FIFA-s është në vendin e 79-të, ndërsa do të luajë në play-off për Kupën e Botës. Por si qëndrojnë kundërshtarët e Kosovës në këtë garë, sa vlejnë, kush i drejton ekipet kombëtare dhe kush është ylli i skuadrës.
Me kë ka luajtur Kosova dhe me kë jo? telegrafi.com
Izraeli
Izraeli është në vendin e 77-të në renditjen e FIFA-s, ndërsa skuadra e fundit që u tubua kishte vlerë prej 79.50 milionë euro. Përzgjedhës është Ran Ben Shimon, që nga maji i vitit 2024.
Lojtari më i shtrenjtë është Oscar Gloukh që vlen 18 milionë euro dhe luan te Ajax, por prapa nuk qëndrojnë keq as Anan Khalaili (12 milionë euro) i Union SG dhe Manor Solomon që vlen 9 milionë euro e luan te Fiorentina. Kosova dhe Izraeli janë përballur dy herë, ku Dardanët kanë një fitore dhe një barazim.
Austria
Pa dyshim kombëtarja më prestigjioze në grupin e Kosovës është Austria. Kjo kombëtare është e 24-ta në ranglistën e FIFA-s, ndërsa ekipi i fundit i tubuar vlente plot 231 milionë euro.
Përzgjedhës i Austrisë është Ralf Rangnick, i cili është në krye të ekipit që nga viti 2022. Lojtari më i shtrenjtë është Konrad Laimer me 32 milionë euro që luan te Bayern Munich.
Nuk qëndron keq as Christoph Baumgartner i RB Leipzig me 20 milionë euro. Kosova nuk është përballuar asnjëherë me Austrinë, ndërsa do të jetë një sfidë emocionuese për Franco Fodën që luan kundër ish-kombëtares që ka drejtuar.
Republika e Irlandës
Një tjetër kombëtare e konsoliduar në kohët e fundit, me disa yje të mëdhenj që luajnë në Ligën Premier. Ekipi vlente 197 milionë euro, ndërsa në renditjen e FIFA-s janë në vendin e 59-të.
Përzgjedhës është islandezi Heimir Hallgrímsson, që ka marrë drejtimin e ekipit në qershor të vitit 2024. Lojtari më i shtrenjtë është mbrojtësi i Brentford, Nathan Collins me 35 milionë euro.
Portieri Caoimhin Kelleher me 22 milionë euro, Troy Parrott me 22 milionë euro, Finn Azaz me 18 milionë euro dhe Dara O’Shea me 15 milionë euro, janë po ashtu lojtarë të vlerësuar. As me Republikën e Irlandës nuk ka luajtur asnjëherë Kosova.
Fituesit e secilit grup në Ligën B do të sigurojnë ngjitjen në Ligën A për sezonin pasardhës, ndërsa kombëtarja e vendit të fundit do të bie në Ligën C. /Telegrafi/