Nënkryetari i Lëvizjes Besa Blerim Sejdiu, në një paraqitje për Alsat, ka folur për çështjen e provimit të jurisprudencës edhe në gjuhën shqipe, si dhe vendimin e ministrit të Drejtësisë Igor Fillkov, për të refuzuar peticionin e studentëve shqiptar që provimi të mbahet edhe në gjuhën shqipe.
Sejdiu tha se provimi i jurisprudencës do të jepet edhe në gjuhën shqipe, ndërsa mes tjerash tha se Fillkov nuk do të jetë edhe gjatë ministër i Drejtësisë.
“Me siguri Fillkov nuk do të jetë edhe gjatë ministër i Drejtësisë. Do të ketë rikonstruim të qeverisë dhe tani ka emra që lakohen dhe ndër ato emra është edhe ai. Nuk ka vendime strikte deri tani dhe nuk dua që para kohe të parashoh çfarë do të ndodh, por ajo që do të ndodh është se do të ketë rikonstruim të qeverisë”, tha Sejdiu.
Ai gjithashtu tha se do të ketë interpelancë ndaj ministrit Fillkov.
“Interpelanca nuk ndërlidhet me iniciativën tonë që e kemi nisur për të drejtën e studentëve. Për ne është me rëndësi që ajo e drejtë është kushtetuese dhe tjerat më pak janë ose aspak të rëndësishme”, tha Sejdiu./Telegrafi/