Shërbimi Emergjent i Spitalit të Përgjithshëm “Dr. Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë ka shënuar rritje të numrit të rasteve që kanë kërkuar ndihmë dhe trajtim mjekësor si pasojë e aksidenteve në trafik.
Sipas raportit vjetor për vitin 2025, mbi 2 mijë persona kanë kërkuar trajtim mjekësor në Emergjencë për shkak të aksidenteve në komunikacion, përfshirë edhe raste me lëndime të rënda trupore.
Nga spitali bëhet e ditur se shërbimi emergjent vazhdon të jetë i ngarkuar me raste që kërkojnë ndërhyrje urgjente, ndërsa aksidentet rrugore mbeten një nga shkaqet kryesore të paraqitjes së pacientëve në këtë repart.
Drejtuesit e institucionit shëndetësor u kanë bërë apel vozitësve që të tregojnë kujdes të shtuar në trafik dhe të respektojnë rregullat e komunikacionit, me qëllim të ruajtjes së shëndetit dhe jetës së tyre, si dhe të pjesëmarrësve të tjerë në rrugë. /Telegrafi/