Legjenda amerikane e skijimit alpin, Lindsey Vonn, ka pësuar një rënie të rëndë gjatë garës olimpike të zbritjes për femra në Cortina d’Ampezzo, duke shkaktuar shqetësime serioze për gjendjen e saj shëndetësore dhe të ardhmen sportive.
Sipas informacioneve të para, dyshohet për një frakturë në këmbën e poshtme, gjë që u konfirmua nga trajneri amerikan i disiplinave të shpejta, Alex Hödlmoser, në një deklaratë për SRF.
“Ende kemi shumë pak informacion. Duket se është një frakturë në këmbën e poshtme. Ajo po i nënshtrohet testeve të mëtejshme”, tha Hödlmoser.
Vonn, 41 vjeçe, humbi kontrollin vetëm në sekondat e para të garës, pasi u hodh jashtë pistës nga një gungë.
Krahu i saj i djathtë u kap në një portë dhe ajo u rrëzua me forcë në pistë, ndërsa britmat e dhimbjes u dëgjuan qartë në transmetimin televiziv.
Ish-kampionia olimpike u vendos menjëherë në barelë dhe u transportua me helikopter drejt spitalit, ku po i nënshtrohet ekzaminimeve të detajuara mjekësore. Deri tani nuk ka një konfirmim zyrtar për diagnozën përfundimtare.
Për rënien dhe gjendjen e saj ka folur edhe motra e Lindsey Vonn, Karen Kildow, e cila dha një deklaratë për NBC.
“Ishte shumë e frikshme ta shihje. Kur sheh barelat, nuk është kurrë shenjë e mirë. Por ajo guxoi, dha gjithçka dhe kjo është ajo që e karakterizon Lindseyn. Gjëja më e rëndësishme për ne është që ajo të jetë mirë”, u shpreh ajo.
Ajo shtoi se skiatorja aktualisht është nën kujdesin e plotë mjekësor.
“Të gjithë kirurgët, fizioterapistët dhe mjekët e saj janë me të. Ajo po i nënshtrohet kontrolleve dhe shpresojmë të kemi më shumë informacione së shpejti”, theksoi Kildow.
Vonn kishte vendosur të garonte pavarësisht një dëmtimi serioz në gju, pasi po merrte pjesë në Olimpiadë me ligamente të këputura kryqëzore, një vendim që tashmë ka ngritur shumë pikëpyetje për rrezikun e marrë.
Gjendja e saj pritet të sqarohet në orët apo ditët në vijim, ndërsa e gjithë bota e sportit mbetet në pritje të lajmeve për njërën nga figurat më ikonike të skijimit alpin. /Telegrafi/