Timothy Weah ka pranuar se ishte “i thyer dhe krejtësisht pa vetëbesim” pas përvojës së tij te Juventusi, por një telefonatë e pazakontë nga Roberto De Zerbi në orën 4 të mëngjesit e bindi të transferohej te Olympique Marseille.
Djali i legjendës së Milanit, George Weah, iu bashkua Juventusit me pritshmëri të mëdha nga Lille për një shumë prej rreth 11 milionë euro në verën e vitit 2023.
Megjithatë, ylli i përfaqësueses së SHBA-së nuk arriti të lërë ndikim të madh, duke regjistruar shtatë gola dhe shtatë asistime në 78 paraqitje me klubin torinez.
Situata u shoqërua edhe me polemika, kur ai refuzoi një transferim te Nottingham Forest, për të cilin pretendon se ishte rënë dakord nga klubi pa e informuar atë.
“Olympique Marseille mori një lojtar që ishte i thyer, krejtësisht pa vetëbesim”, ka thënë ai për Telefoot.
“Ishte e vështirë për mua madje të ngrihesha në mëngjes për të shkuar në stërvitje, sepse gjërat nuk po shkonin mirë për mua. Marseille vërtet mori një rrezik.”
Trajneri italian Roberto De Zerbi pa potencialin për një rikthim në Ligue 1 dhe e bindi Weah me stilin e tij të veçantë.
“Trajneri më telefonoi në orën 4 të mëngjesit, në Facetime”.
“Ai ishte me pizhamet dhe po pinte cigare. Më tha: ‘Tim, duhet të vish këtu. Do ta shohësh, ky është shtëpia jote.’ Dhe kur mbërrita në aeroport, u prita sikur të isha në shtëpinë time”.
Transferimi është realizuar si huazim prej 1 milion eurosh me detyrim blerjeje në fund të sezonit për 14.4 milionë euro të tjera, plus bonuse që mund të arrijnë deri në 4.1 milionë euro.
Juventusi do të mbajë gjithashtu 10 për qind nga shuma e një shitjeje të ardhshme.
“Shpresoj të qëndroj këtu për një kohë të gjatë, nëse është e mundur”.
Weah ka rigjetur formën e tij në Francë, duke realizuar tre gola dhe katër asistime në 28 paraqitje zyrtare me Olympique Marseille deri më tani këtë sezon./Telegrafi