Pjesa më e madhe e buxhetit të Prishtinës për sivjet do të jetë e orientuar kah investimet kapitale. Dokumenti që nxiti diskutime të ndryshme gjatë seancës së djeshme të jashtëzakonshme, megjithatë nuk përmban projektin kryesor të cilin e ka premtuar kryetari Përparim Rama. Sivjet është planifikuar rritje e buxhetit për drejtorinë e Administratës, veprim që sipas monitoruesve, është taktikë e shpeshtë e komunave. Kurse buxheti i është zvogëluar drejtorisë për mirëqenie sociale.
Buxheti i Kryeqytetit për vitin 2026, i miratuar një ditë më parë në Kuvendin Komunal, nxiti debat mbi formën e shpërndarjes së mjeteve financiare.
Pjesa më e madhe e buxhetit që peshon mbi 151 milionë euro, është ndarë për investime kapitale.
Për këtë kategori do të jenë në dispozicion 53 milionë eurove, 23 milionë prej të cilave janë grant i përgjithshëm.
Në total në këtë kategori janë paraparë 41 projekte.
7 milionë euro janë të ndara për sheshin “Xhorxh Bush”, ndërsa 1.6 milionë euro janë ndarë për nënkalimin në rrugën “Agim Ramadani”, dhe mbi 2.1 milionë janë ndarë edhe për ishullin e Arbërisë.
Unaza e jashtme e kryeqytetit, projekti kryesor me të cilin Përparim Rama bëri fushatë para dy mandateve të tij, nuk është përfshirë fare në buxhet.
Arsyet e mos përfshirjes së këtij projekti nuk i ka sqaruar komuna.
2 milionë euro janë ndarë për rrugën “A” dhe kolektorin atje, mbi 700 mijë euro më pak sesa në buxhetin e vitit të kaluar.
Premtim tjetër i Ramës ishte edhe digjitalizimi nëpër shkolla, e për një qendër të tillë, për punë, inovacion dhe qasje digjitale komuna ka ndarë nga burimet vetanake 100 mijë euro.
Krahasuar me vitin e kaluar, ngritje të ndjeshme ka shënuar Drejtoria e Administratës, e cila sivjet do të ketë buxhet prej 4 milionë e 483 mijë, nga 3.8 milionë euro sa kishte vitin e kaluar.
E, kjo rritje e buxhetit për administratën, sipas monitoruesve të punës së komunave, është një taktikë që komunat e përdorin shpesh.
“Po ndodhë për t’i ikur matjeve të shpenzimeve që i bën Zyra e Kryetarit. Në të kaluarën kemi parë që janë publikuar vazhdimisht shpenzimet e kryetarit, sa ka shpenzuar në dreka zyrtare, udhëtime, reprezentacion dhe tash për t’i ikur fokusit shpenzimeve direkte të kryetarit, kanë vendosur që, praktikë edhe një pjesë e komunave tjera që buxheti të fokusohet në një kod buxhetor që shpenzohet nga Drejtoria e Administratës”, ka thënë Shemsi Jashari – monitorues i komunave.
Zvogëlim i buxhetit është vërejtur tek Drejtoria e Mirëqenies Sociale.
Këtë vit, për të janë ndarë 430 mijë e 500 euro, nga mbi 480 mijë sa ishin vitin e kaluar.
Sa i përket objekteve të reja arsimore, Komuna ka paraparë ndërtimin e vetëm një shkolle dhe një çerdheje.
Kjo e fundit parashihet të ndërtohet mes Hajvalisë dhe Barilevës në vlerë të 150 mijë euro, ndërsa shkolla në në lagjen “Kalabria”, e cila planifikohet të kushtojë. 100 mijë euro.
E, sipas Jasharit, kjo tregon se Rama nuk i ka prioritet premtimet e tij gjatë mandateve.
“Mungesa e investimit në çerdhe shkakton problematikë te familjet e enkas te familjet e reja që e kanë të domosdoshme dërgimin e fëmijëve në çerdhe. Të flitet për mësimin tërëditor në Prishtinë e në anën tjetër të mos sigurohet infrastrukturë shtesë është në shpërputhje njëra me tjetrën dhe mendoj që nuk do ketë mësim-tërëditor sukses nëse nuk ka investime. Duket se shumica e premtime të bukura gjatë fushatës nuk po reflektohen në këtë buxhet”, ka thënë Shemsi Jashari – monitorues i komunave.
Buxheti u miratua të premten me 33 vota për, 8 kundër dhe asnjë abstenim, me VV që kundërshtoi atë me arsyetimin se ndarja e mjeteve lë vend për dyshime për keqpërdorim.
Propozimin e mbështetën edhe PDK-ja, Lidhja Për Prishtinën dhe Nisma Socialdemokrate./Tv Dukagjini/
– YouTube youtu.be