Rrjeti Evropian i Operatorëve të Sistemit të Transmisionit të Energjisë Elektrike, ENTSO-e, nuk përjashtoi mundësinë e ndëshkimeve financiare ndaj KOSTT-it, si pasojë e devijimeve që rezultuan me jo-balanca apo çekuilibrime në zonën e sinkronizuar të Evropës Kontinentale, muajin e kaluar.
Referuar Marrëveshjes së Kyçjes, në një përgjigje për televizionin Dukagjini në pyetjet e dërguara më 15 Janar, këtë e konfirmoi vetë ENSTO-e.
“Aktualisht, OST-të e Evropës Kontinentale kanë një marrëveshje me KOSTT-in (“Marrëveshja e Kyçjes) që synon të sigurojë funksionimin e sigurt të sistemit energjetik të Kosovës*, duke ruajtur sigurinë në Zonën e Sinkronizuar të Evropës Kontinentale. Në këtë frymë, bazuar në Marrëveshje, KOSTT-i ka detyrimin të balancojë në mënyrë efektive sistemin e tij. Në rast të mosrespektimit të këtij detyrimi, Palët në Marrëveshje kanë në dispozicion një sërë masash, përfshirë vendosjen e ndëshkimit financiar, e cila mund të zbatohet në varësi të natyrës dhe nivelit të shkeljes së detyrimeve nga KOSTT. Në këtë pikë, Operatorët e Sistemit të Transmisionit të Grupit Rajonal të Evropës Kontinentale po e monitorojnë nga afër situatën dhe po vlerësojnë vazhdimisht nevojën për miratimin e masave të disponueshme, kur është e nevojshme”, thuhet në reagimin e ENTSO-E.
Në përgjigje, ENTSO-e shpjegoi se rënia e bllokut B1 të Termocentralit “Kosova B” u kishte shkaktuar probleme Operatorëve të Sistemit të Transmisionit apo OST-ve në rrjetin evropian.
“Në dritën e kësaj, më 12 janar 2026, një nga njësitë e gjenerimit të energjisë (e quajtur TC Kosova B1) në perimetrin e KOSTT doli jashtë funksionit, duke rezultuar në mungesë të prodhimit. Si rezultat, të nesërmen, KOSTT-i nuk ishte në gjendje të ruante ekuilibrin brenda rrjetit të tij, duke shkaktuar çekuilibrim të energjisë në sistem, gjë që ndikoi negativisht në interkonjeksionin e OST-ve evropiane, duke i detyruar ato të rikuperonin këto devijime”, vijon reagimi.
Deri në kthimin në prodhim të bllokut B1, më 14 Janar, për të shmangur pasojat eventuale nga devijimet e mëtejme KOSTT-i aplikoi regjim të reduktimeve në furnizimin e qytetarëve me energji elektrike.
Problemi i devijimeve dhe çekuilibrimit u përsërit edhe më 20 Janar për shkak se KESCO-ja kishte nominuar 26% më pak energji sesa kërkesa reale për konsum – duke bërë që KOSTT-i të aplikojë sërish reduktime.
Megjithëkëtë, deri tani nuk ka ndonjë njoftim zyrtar për ndëshkim ndaj KOSTT-it./TV Dukagjini/
– YouTube youtu.be