Një material që zakonisht përdoret për dekorim mund të ketë edhe një funksion praktik. Ja si përdoret, çfarë përfitimesh sjell dhe kur duhet të bëni kujdes
Boçat e pishës nuk përdoren vetëm për dekorimet e Krishtlindjeve apo zbukurimet e vjeshtës. Ato mund të jenë edhe një shtesë praktike për vazot e bimëve të shtëpisë, veçanërisht nëse keni një mace që pëlqen të gërmojë dheun ose keni vënë re insekte të vogla që fluturojnë rreth luleve.
Mirëmbajtja e bimëve kërkon ujitje, ndriçim dhe kushte të përshtatshme, por ndonjëherë problemet shkaktohen edhe nga kafshët shtëpiake apo insektet.
Një zgjidhje e thjeshtë, që pothuajse nuk kushton asgjë, mund të jetë përdorimi i boçave të zakonshme të pishës.
Si i pengojnë boçat e pishës macet?
Mjafton të vendosni disa boça të thata dhe të pastra mbi sipërfaqen e dheut, rreth kërcellit të bimës.
Forma e tyre e fortë dhe e parregullt krijon një pengesë natyrore që mund t’i dekurajojë macet të gërmojnë.
Shumë mace parapëlqejnë dheun e butë, ndërsa vazot e mëdha ndonjëherë i përdorin edhe për kryerjen e nevojave fiziologjike.
Boçat ua vështirësojnë qasjen në dhe, sepse sipërfaqja e tyre nuk është veçanërisht e këndshme për putrat.
Megjithatë, kjo mënyrë nuk funksionon te çdo mace.
Zgjidhni boça pa pjesë të mprehta, që kafshët të mos lëndohen, transmeton Telegrafi.
A ndihmojnë edhe kundër insekteve?
Insektet e vogla të zeza që shfaqen rreth bimëve zakonisht janë mizëza të dheut, të njohura si fungus gnats.
Ato tërhiqen nga dheu vazhdimisht i lagësht, ku vendosin vezët dhe ku zhvillohen larvat.
Boçat mund ta vështirësojnë pjesërisht qasjen në sipërfaqen e dheut, por nuk janë mjet i provuar për eliminimin e këtyre insekteve.
Ndërmjet tyre mbeten hapësira ku mizëzat mund të kalojnë.
Prandaj, mbrojtja më e mirë është ujitja e kontrolluar. Lëreni shtresën e sipërme të dheut të thahet ndërmjet ujitjeve, nëse kjo i përshtatet bimës.
Në rast të shumimit të insekteve, mund të përdorni edhe pllaka ngjitëse të verdha.
Një përparësi tjetër, por edhe një rrezik
Boçat mund t’u japin vazove një pamje natyrore dhe dekorative. Ato gjithashtu mund ta ngadalësojnë disi avullimin e ujit.
Megjithatë, nuk e zëvendësojnë kullimin e mirë dhe nuk e parandalojnë mykun. Nëse mbeten vazhdimisht të lagështa, edhe vetë mund të krijojnë kushte për zhvillimin e kërpudhave.
Prandaj, mos i vendosni në shtresë shumë të trashë dhe kontrolloni rregullisht lagështinë e dheut.
Para përdorimit, pastrojini, thajini mirë dhe sigurohuni që nuk përmbajnë insekte.
Kjo mënyrë është veçanërisht praktike për bimët e mëdha, si fikusi, monstera dhe palmat, vazot e të cilave shpesh tërheqin macet kureshtare.
Edhe pa kafshë shtëpiake, boçat mund të shërbejnë si zbukurim natyror për bimët tuaja. /Telegrafi/

