Policia e Kosovës ka bërë të ditur se një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur në orët e mëngjesit në Loxhë të Pejës, ku si pasojë një person ka ndërruar jetë.
Lajmin e konfirmoi për Telegrafin, zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Pejës, Driton Rugova.
“Sot rreth orës 07:50 Policia është njoftuar për një aksident trafiku në fshatin Loxhë të Pejës, ku të përfshira janë dy vetura dhe si pasojë, përveç dëmeve të konsiderueshme materiale janë lënduar edhe dy persona, të cilët janë dërguar për tretman mjekësor. Nga ekipi mjekësor është konstatuar se njëra nga të aksidentuarit nuk ka mundur t’i përballoj plagët dhe ka ndërruar jetë”, tha Rugova.
Ndërkaq, nga Spitali i Pejës bëhet e ditur se personi tjetër është duke u trajtuar dhe aktualisht ndodhet në gjendje stabile, jashtë rrezikut për jetën.
Me urdhër të prokurorit të Shtetit, i cili po ashtu ishte në vendin e ngjarjes trupi i pa jetë i viktimës dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, për obduksion, ndërsa rasti është duke u hetuar nga hetuesit e aksidenteve. /Telegrafi/