Në ndjekje të medaljes së artë olimpike, atletët profesionistë shpesh i nënshtrohen sakrificave që për shumicën e njerëzve duken të paimagjinueshme. Por a shkojnë këto përpjekje deri aty sa kërcyesit e skive të injektojnë organin gjenital me acid hialuronik për të fluturuar më larg?
Kjo është pyetja që Agjencia Botërore Anti-Doping (WADA) pritet ta hetojë, pasi akuza tronditëse dolën fillimisht në gazetën gjermane Bild, në një histori që tashmë është pagëzuar si “Penisgate”.
Sipas “Bild”, disa atletë dyshohet se kanë injektuar acid hialuronik në organin gjenital për të manipuluar procesin e matjeve për kostumet e kërcimit, të cilat rregullohen në mënyrë shumë strikte për të parandaluar çdo avantazh aerodinamik të padrejtë.
Ndërsa rezultatet e hetimit ende priten, lindin disa pyetje të tjera: pse një kërcyes skiash do të ndërhynte në këtë mënyrë në trupin e tij, a është e sigurt kjo praktikë dhe çfarë lidhje ka madhësia e organit gjenital me aerodinamikën?
Çfarë bën injektimi i acidit hialuronik në organin gjenital?
Acidi hialuronik është një mbushës i përdorur gjerësisht në kirurgjinë estetike dhe, sipas profesor Eric Chung, kirurg urolog, ai përdoret edhe në procedura për rritjen e perimetrit të organit gjenital.
Injektimi i acidit hialuronik do ta bënte organin gjenital më të madh në trashësi, por për një efekt të dukshëm do të nevojitej një sasi e konsiderueshme e këtij materiali, shpjegon Chung, i cili më parë ka qenë drejtues i grupit këshillues të andrologjisë në Shoqatën Urologjike të Australisë dhe Zelandës së Re.
Efekti i acidit hialuronik është i përkohshëm dhe kërkon ripërsëritje çdo gjashtë deri në dymbëdhjetë muaj, në varësi të mënyrës se si trupi e përthith ose si migrojnë grimcat, shton ai.
Si ndikon madhësia e organit gjenital në kërcimin me ski?
Para fillimit të sezonit, kërcyesit me ski duhet të matin trupin e tyre për prodhimin e kostumit, bazuar në gjatësinë trupore, përfshirë lartësinë e ijëve. Këto matje kryhen me një skaner 3D të miratuar nga FIS, në prani të një mjeku, me atletët të veshur vetëm me të brendshme dhe me kërkesa shumë specifike për qëndrimin e trupit.
Përmasat e kostumit rregullohen rreptësisht, sepse madhësia totale e tij ka një ndikim të madh në sasinë e ngritjes aerodinamike që mund të gjenerohet, gjë që lejon kërcime më të gjata, shpjegon profesori i asociuar Dan Dwyer nga Universiteti Deakin.
Rritja artificiale e organit gjenital me acid hialuronik mund t’i japë atletit një avantazh gjatë procesit të matjes standarde, pasi dimensionet e trupit të regjistruara do të ishin më të mëdha sesa në kushte normale. Kjo, sipas Dwyer, do t’i lejonte atletit të përdorte një kostum pak më të madh.
“Ky kostum pak më i madh ka një sipërfaqe më të madhe dhe mund të gjenerojë një sasi shtesë të vogël ngritjeje aerodinamike”, shpjegon ai.
Drejtori i garave për meshkuj në Federatën Ndërkombëtare të Skive (FIS), Sandro Pertile, thekson se çdo detaj ka rëndësi.
“Çdo centimetër shtesë në kostum ka vlerë. Nëse kostumi yt ka 5 për qind më shumë sipërfaqe, ti fluturon më larg. Është një sport shumë konkurrues dhe të gjithë janë në limit të rregullave, sepse të gjithë duan të fitojnë.”
Cilat janë rreziqet shëndetësore?
Profesori Chung paralajmëron se injektimi i acidit hialuronik në organin gjenital mbart rreziqe serioze, si afatshkurtra ashtu edhe afatgjata.
Teknika e gabuar e injektimit ose doza e pasaktë mund të shkaktojë dhimbje, probleme estetike dhe deformime, infeksione, inflamacion, ndryshime ndjeshmërie dhe çrregullime të funksionit seksual.
Në raste të rralla, infeksioni mund të përhapet më tej dhe të shkaktojë gangrenë, nekrozë të indeve dhe madje humbjen e organit gjenital./Telegrafi