Kriza brenda FC Shkupit po thellohet edhe më tej, ende pa filluar gjysmësezoni pranveror. Pas zhvillimeve të fundit lidhur me paqartësitë pronësore dhe organizative, klubi mbetet tashmë edhe pa trajner, njofton Telegrafi.
Trajneri kryesor, Erkan Murseli, ka bërë publike dorëheqjen e tij përmes një komunikate zyrtare, duke theksuar se vendimi vjen si pasojë e zhvillimeve të fundit, mungesës së qartësisë institucionale dhe lëvizjeve të padëshiruara brenda klubit. Ai nënvizon se këtë detyrë e kishte pranuar vetëm nga dashuria dhe respekti për FC Shkupin, duke punuar pa siguri apo mbulim financiar, gjë që e ka bërë të pamundur vazhdimin e bashkëpunimit në këto rrethana.
Largimi i trajnerit është një tjetër goditje për klubin nga Çairi, i cili prej ditësh ndodhet në një situatë të rëndë pas përplasjeve dhe paqartësive rreth pronësisë. Siç është bërë e ditur më herët, këto zhvillime kanë çuar edhe në vendimin e “Këshillit për shpëtim dhe rikthim të ndershmërisë, dinjitetit dhe identitetit të KF Shkupi” për ngrirjen e të gjitha aktiviteteve, deri në arritjen e një marrëveshjeje të qartë dhe të shkruar për drejtimin e klubit. /Telegrafi/
Në prag të rifillimit të sezonit pranveror, FC Shkupi ndodhet në një nga momentet më delikate të historisë së tij, me pasiguri të madhe për të ardhmen sportive dhe institucionale.