Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut, që vepron në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, ka realizuar një aksion të gjerë inspektues në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, Administratën Tatimore të Kosovës dhe Inspektoratin Qendror të Punës.
Qëllimi i aksionit ishte sigurimi i respektimit të standardeve ligjore, mbrojtja e konsumatorëve, garantimi i konkurrencës së ndershme dhe verifikimi i përmbushjes së obligimeve ligjore nga subjektet ekonomike.
Gjatë këtij operacioni janë inspektuar 69 subjekte ekonomike, me fokus të veçantë në bizneset që ushtrojnë veprimtari në fushën e hotelerisë dhe turizmit, përfshirë vilat dhe motelet në territorin e Republikës së Kosovës.
Në bazë të kompetencave ligjore, inspektorët e Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut kanë urdhëruar mbylljen e përkohshme të 26 subjekteve ekonomike, kryesisht për mosregjistrim të bizneseve dhe mungesë të pëlqimeve apo aktvendimeve që dëshmojnë plotësimin e kushteve minimale teknike.
Ndaj operatorëve ekonomikë që ushtronin aktivitetin e tyre në kundërshtim me legjislacionin në fuqi, janë shqiptuar gjithsej 27 masa ndëshkuese.
Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut ka bërë të ditur se veprimtari të ngjashme inspektuese do të vazhdojnë edhe në të ardhmen, me qëllim forcimin e sundimit të ligjit dhe krijimin e një mjedisi të sigurt, të rregullt dhe transparent për zhvillimin e veprimtarive ekonomike në Republikën e Kosovës./Telegrafi/