Kevin-Prince Boateng ka zbuluar se i është dashur “të gënjejë” për dashurinë e tij ndaj Cristiano Ronaldos, vetëm që të bëhej bashkëlojtar i Lionel Messit te Barcelona.
Ish-reprezentuesi i Ganës realizoi një transferim befasues drejt “Camp Nou” në vitin 2019.
Pas finalizimit të këtij kalimi, atij iu bë e qartë se nuk duhej të fliste me tone pozitive për CR7 apo për rivalët e përjetshëm të Barcelonës, Real Madridin.
Kjo ishte veçanërisht e vështirë për Boatengun, pasi ai kishte qenë tifoz i Real Madridit që në fëmijëri.
Me “ngjyrat” e tij të lidhura fort me “Santiago Bernabeu”, Cristiano Ronaldo, fitues i pesë herë i Topit të Artë dhe golashënuesi më i mirë në historinë e klubit, ishte për të një burim frymëzimi.
Duke folur për Unscripted me Josh Mansour, Boateng tregoi për udhëzimet që ia ndalonin çdo simpati ndaj Ronaldos.
“Gjithmonë kam thënë se doja të luaja për Real Madridin”, u shpreh ai.
“Më është dashur të gënjej në një konferencë për shtyp, sepse dy vite më parë, kur luaja te Las Palmas, më pyetën kush ishte lojtari im i preferuar dhe unë thashë Cristiano Ronaldo. Po ashtu thashë se skuadra ime e preferuar ishte Real Madridi”.
“Kur nënshkrova për Barcelonën, më thanë: ‘Skuadra jote e preferuar është Barcelona dhe lojtari më i mirë në botë është Lionel Messi’”.
“Më thanë: ‘Duhet ta thuash, përndryshe është e pamundur të luash këtu’. Unë u ula në konferencën për shtyp dhe pyetja e parë ishte kush është lojtari më i mirë në botë, dhe unë thashë: ‘Lionel Messi’”, deklaroi Boateng./Telegrafi/