Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji – ZRRE u mblodh sot, ku pas analizimit të aplikacionit dhe procesit të konsultimit publik, miratoi të hyrat maksimale të lejuara për Operatorin e Tregut të Energjisë Elektrike (NEMO) për zonën e ofertimit të Kosovës për vitet 2026‑2028.
ZRRE theksoi se struktura e të hyrave dominohet kryesisht nga kostot operative dhe se “rritja e të hyrave reflekton zhvillimin e tregut dhe rritjen e volumit të shitjes së energjisë dhe jo rritjen tarifore për pjesëmarrësit”, duke sqaruar se tarifa e NEMO‑s propozohet të mbetet e pandryshuar krahasuar me periudhën paraprake.
Sipas vendimit, vlera e të hyrave të propozuara për Kosovën është: 669,028 euro për vitin 2026, 712,410 euro për vitin 2027 dhe 835,613 € për vitin 2028.
ZRRE gjithashtu konfirmoi se “tarifat e ALPEX aplikohen vetëm për shërbimet ndaj anëtarëve të bursës” dhe me 5 vota për u aprovuan të hyrat dhe mbetën të njëjta tarifa për periudhën e propozuar nga departamenti i tarifave, raporton Telegrafi.
Në pjesën tjetër të rendit të ditës, ZRRE shqyrtoi edhe çështjen e Furnizuesit të Mundësisë së Fundit (FMF). U rikujtua se, sipas rregullave të energjisë elektrike, konsumatorët që mbesin pa furnizues kalojnë në FMF vetëm për një periudhë 60 ditore, ku pastaj duhet të zgjedhin një furnizues të licencuar.
Me vendimin e Bordit më herët, KEK ishte emëruar furnizues i mundësisë së fundit për periudhën 31.07.2022–31.07.2025, por tenderi për një furnizues të ri kishte dështuar dy here.
“Në mars 2025, kur u hap procedura e tenderimit pas përfundimit të periudhës së mëparshme, por nuk u paraqit asnjë ofertë. Gjatë ritenderimit në periudhën korrik–dhjetor 2025, u anulua sërish më 18.12.2025 për mungesë ofertash”, u than në mbledhjen e Bordit të ZRRE-së.
Në këtë kontekst, ZRRE propozoi dhe caktoi KEK‑un sërish si Furnizues të Mundësisë së Fundit për periudhën prej 31.01.2026 deri më 31.01.2029, duke argumentuar që është plotësuar kushti për të ushtruar këtë përgjegjësi dhe duke miratuar periudhën e re trevjeçare të furnizimit. /Telegrafi/