Situata e Vinicius Junior te Real Madridi ka shpërthyer në mënyrë dramatike, me yllin brazilian që, sipas “El Periodico” dhe “Sport”, po mendon seriozisht largimin nga klubi pas prishjes së plotë të raportit me tifozët e “Santiago Bernabeu”.
Gjatë ndeshjes ndaj Levantes të shtunën, Vinicius u përball me një vërshim fishkëllimash që nga momenti i nxehjes.
Pas humbjeve të njëpasnjëshme nga Barcelona dhe Albacete në Kupë, atmosfera në “Bernabeu” ishte e tensionuar, por trajtimi ndaj brazilianit ishte dukshëm më i ashpër se ndaj figurave të tjera si Jude Bellingham apo Fede Valverde.
Sipas mediave katalanase, Vinicius ka thënë në rrethin e tij të afërt: “Nuk do të luaj aty ku nuk më duan”.
“Sport” raporton se 17 janari ishte dita kur “Real Madridi dhe tifozët u ndanë përfundimisht me Vinicius”, duke e çuar marrëdhënien në pikën më të ulët historike.
Trajneri i ri i Realit Arbeloa dëshiron “ta nxjerrë më të mirën nga Viniciusi”
I pyetur për situatën e lojtarit, trajneri i ri madrilen u përpoq ta mbrojë publikisht brazilianin:
“Do të punojmë për ta përmirësuar. Do t’u kërkoj shokëve të skuadrës t’i japin sa më shumë topa, sepse është lojtari më i mirë në botë për të ç’ekuilibruar mbrojtjet kundërshtare”.
Në konferencën e tij të parë, Arbeloa kishte deklaruar gjithashtu: “Jam jashtëzakonisht me fat që kam një nga lojtarët më të mirë në botë. Ne duam të shohim një Vini që kënaqet dhe vallëzon në fushë”.
Megjithatë, nëse tensionet me publikun vazhdojnë, periudha e Vinicius te Real Madridi mund të jetë drejt fundit, edhe pse kontrata e tij skadon në verën e vitit 2027.
Destinacionet e mundshme: Në merkato të kaluara, Vinicius është lidhur fuqishëm me Paris Saint-Germain, klubet e Ligës Premier si Liverpool dhe Manchester City si dhe oferta marramendëse nga Arabia Saudite, ku pagat do të ishin në nivelin e Cristiano Ronaldos./Telegrafi