Deputetja e zgjedhur nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Janina Ymeri, ka paralajmëruar se kriza energjetike po reflektohet drejtpërdrejt në rritjen e faturave të rrymës dhe shtrenjtimin e produkteve bazë, duke goditur ekonominë familjare.
Në “Përballje Podcast” në Telegrafi.com, Ymeri tha se importi milionësh i energjisë po krijon një efekt zinxhir që sapo ka nisur të ndihet nga qytetarët.
“Kjo ndikon në ekonomi, dyqind e pesëdhjetë milionëshin nuk e keni parë ende”, tha ajo, duke shtuar se pasojat do të thellohen.
Sipas saj, shpenzimet e larta për energji dalin fillimisht në pah në buxhetin publik, por përfundojnë në faturat e qytetarëve.
“Tash na bien faturat tona. E kur bien faturat, rritet gati çdo shërbim dhe çdo produkt”, theksoi Ymeri.
Ajo paralajmëroi se edhe subvencionet eventuale shtetërore për energjinë janë para publike që mungojnë në investime të tjera.
“Nëse subvencionohet me paratë tona, atëherë një investim tjetërkund ka me na mungu”, u shpreh ajo.
Duke e ilustruar efektin zinxhir në ekonomi, Ymeri mori shembull çmimet e ushqimeve.
“Kur rritet çmimi i vezës, rritet torta. Po e paguajmë edhe vezën, edhe tortën – dy herë çmimin në fund”, deklaroi Ymeri, duke theksuar se barra përfundimtare bie gjithmonë mbi qytetarët”.
Sipas saj, kolapsi energjetik po e gërryen ekonominë e Kosovës, ndërsa pasojat reale do të ndihen edhe më shumë në muajt në vijim nëse nuk ka ndërhyrje dhe planifikim serioz në sektorin e energjisë. /Telegrafi/
– YouTube www.youtube.com