Komisioni i Garave i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK) ka vendosur gjoba dhe masa disiplinore pas incidenteve të ndodhura në xhirot e fundit të Superligës.
Skuadra e Vëllaznimit të Gjakovës është gjobitur me 2200 euro për sjellje të pahijshme të tifozëve gjatë ndeshjes ndaj Bashkimit të Prizrenit.
Në fund të çerekut të dytë, disa tifozë vendas sulmuan disa shikues mysafirë që ndodheshin në ballkonin përballë tribunës kryesore.
Një nga tifozët vendas hodhi një shishe që goditi ndihmës-trajnerin e Bashkimit, Bledar Gjeqaj.
Përveç gjobës, komisioni ka vendosur që Vëllaznimi të mos ketë shikues në ballkonin nga i cili u hodh shishja, si masë shtesë parandaluese.
Ndërkohë, Sigal Prishtina është gjobitur me 1400 euro për incidentet që ndodhën gjatë ndeshjes së së enjtes ndaj Yllit, ndërsa Trepça ka marrë një gjobë prej 700 eurosh për fyerje të tifozëve ndaj lojtarëve të Pejës.
FBK rikujton se masat e tilla synojnë të rrisin sigurinë dhe disiplinën në stadiume, duke mbrojtur lojtarët, stafet dhe tifozët, dhe paralajmëron se përsëritja e incidenteve do të sjellë sanksione më të rënda./Telegrafi/