Sulmuesi i Trabzonsporit dhe i kombëtares shqiptare, Ernest Muçi, mund të jetë pranë një transferimi të madh në Serie A, pasi AS Roma raportohet se ka shfaqur interesim për 25-vjeçarin.
Sipas burimeve të brendshme thuhet që emri i Muçit u është propozuar pronarëve të klubit italian, “Friedkin Group”, nga ish-futbollisti i Romës, Mohamed Salah.
Pak ditë më parë, në një intervistë, Muçi u shpreh me shaka se shpreson që Salah ta propozojë te Liverpooli ndërsa raportimet e fundit lënë të kuptohet se një rekomandim i egjiptianit ka ndodhur, por në drejtim të kryeqytetit italian.
Për të lënë të lirë lojtarin, Trabzonspori pritet të kërkojë një shumë transferimi prej të paktën 22 milionë eurosh.
Forma e lartë e futbollistit shqiptar e ka bërë atë një nga emrat më të spikatur në futbollin turk këtë sezon pasi ai kryeson renditjen e asistimeve në Super Ligën e Turqisë, me 3 gola dhe 6 asiste në 10 ndeshje kampionati. /IndeksOnline/

