KORREKT / SOT29 nëntor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Bota

82-vjetori i Çlirimit të Shqipërisë, Bajram Begaj: Sakrifica e dëshmorëve, amaneti më i shenjtë për brezat që vijnë

82-vjetori i Çlirimit të Shqipërisë, Bajram Begaj: Sakrifica e dëshmorëve, amaneti më i shenjtë për brezat që vijnë

Me rastin e 82-vjetorit të Çlirimit të Shqipërisë, presidenti Bajram Begaj ka përkujtuar dëshmorët e atdheut duke vlerësuar sakrificën e tyre si një nga amanetet më të shenjta të historisë kombëtare.

Në një postim në Facebook, presidenti Begaj tha se mbetet detyrim i përhershëm nderimi i kujtimit të tyre, ruajtja e veprës dhe e lirisë, si dhe përcjellja e këtij amaneti te brezat e ardhshëm.

“Sot, ne nderojmë kujtimin e trimave që dhanë jetën për lirinë e Shqipërisë; bij dhe bija të këtij vendi, që në një nga periudhat më të vështira të historisë sonë, zgjodhën të vendosnin lirinë e atdheut mbi jetën e tyre. Sakrifica e tyre përbën një nga amanetet më të shenjta të historisë. Ata janë pjesë e ndërgjegjes sonë kombëtare. Ne kemi detyrimin të nderojmë përjetësisht kujtimin e tyre, të mbajmë gjallë veprën e tyre, lirinë, dhe t’ua përcjellim këtë amanet brezave që vijnë. Gëzuar Ditën e Çlirimit, Shqipëri!”

Ndryshe, shqiptarët festojnë sot 29 Nëntorin, Ditën e Çlirimit të vendit nga pushtuesit nazifashistë. Politika shqiptare e feston sërish e ndarë Ditën e Çlirimit edhe pse 29 Nëntori është data zyrtare e kujtimit të kësaj dite. Të majtët respektojnë 28 Nëntorin si Ditën e Pavarësisë dhe 29 Nëntorin si Ditën e Çlirimit, ndërkohë që të djathtët i përkujtojnë të dy festat më 28 Nëntor.

Debati për Festën e Çlirimit mbetet ende i ndezur në politikën shqiptare, ku e djathta ndjek të njëjtin model si gjatë mandatit të saj të parë qeverisës, kur ndryshoi datën e Çlirimit, nga 29 Nëntori më 28 Nëntor, pasi sipas saj, kjo e fundit ishte zgjedhur nga regjimi komunist duke falsifikuar historinë. Por 29 Nëntori e fitoi sërish statusin e Ditës së Çlirimit kur e majta erdhi në pushtet, në verën e vitit 1997, kur me një ligj të posaçëm u kthye në festë zyrtare.

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.