Tre të katërtat e amerikanëve thonë se kundërshtojnë përpjekjet e Shteteve të Bashkuara për të marrë kontrollin e Grenlandës, sipas një sondazhi të ri të CNN të kryer nga SSRS, i cili tregon se shtytja e Presidentit Donald Trump “për të zgjeruar territorin e Amerikës” përballet me vështirësi të forta nga publiku.
Sondazhi zbulon se vetëm 25% e amerikanëve mbështesin përpjekjet e SHBA-së për të marrë kontrollin e territorit danez, shkruan CNN, përcjell Telegrafi.
Edhe mbështetësit e presidentit janë të ndarë në mënyrë të barabartë, me 50% të republikanëve dhe të pavarurve me prirje republikane që thonë se e mbështesin atë dhe 50% kundër.
Demokratët dhe të pavarurit me prirje demokrate janë thellësisht kundër këtij veprimi, me 94% kundër në përgjithësi, duke përfshirë 80% që thonë se e kundërshtojnë fuqimisht atë. Rreth 8 në 10 të pavarur që nuk anojnë nga asnjëra parti janë gjithashtu kundër.
Trump tha të mërkurën në faqen e tij të mediave sociale Truth Social se “çdo gjë më pak” sesa kontrolli amerikan i Grenlandës është “e papranueshme”.
Mesazhi erdhi përpara një takimi në Shtëpinë e Bardhë midis zyrtarëve danezë, zëvendëspresidentit JD Vance dhe Sekretarit të Shtetit Marco Rubio që duket se bëri pak për t’i afruar të dy palët me një marrëveshje.
Sondazhi zbulon “pak oreks për një politikë më të gjerë të ekspansionizmit amerikan”, edhe pse Trump lartëson kapjen ushtarake të Nicolas Maduro të Venezuelës – duke deklaruar më pas se SHBA-të tani do të “drejtojnë” vendin – dhe ndërsa ai kërcënon udhëheqjen e Iranit për shtypjen e dhunshme të protestave në rrugë.
Veç kësaj, shkruan CNN, pothuajse gjashtë në dhjetë amerikanë janë të shqetësuar se Trump ka shkuar shumë larg në përpjekjen për të zgjeruar pushtetin e Amerikës mbi vendet e tjera.
Vetëm një e treta mendojnë se përpjekjet e tij në këtë drejtim kanë qenë të drejta.
Dhe shumica (55%) thonë se ai tashmë ka shkuar shumë larg në përdorimin e ushtrisë amerikane për të arritur qëllimet e tij.
Një pjesë në rritje thotë se vendimet e politikës së jashtme të Trump këtë mandat kanë dëmtuar pozicionin e Amerikës në botë: 57% thonë kështu tani, nga 53% verën e kaluar. /Telegrafi/