Sulmuesi i krahut të Athletic Bilbaos, Nico Williams, ka komentuar për herë të parë raportimet që e lidhin me një transferim të mundshëm te Paris Saint-Germaini gjatë afatit kalimtar të janarit.
Reprezentuesi i Spanjës ishte protagonisti kryesor në fitoren dramatike të Athletic Bilbaos ndaj Malagas me rezultat 4-3, ku realizoi një gol dhe regjistroi një asistim, duke u shpallur lojtari më i mirë i ndeshjes.
Pas përfundimit të takimit, Williams u pyet për zërat që e lidhin me kampionin francez, por preferoi të mos jepte një përgjigje të qartë rreth së ardhmes së tij.
“Nuk kam asnjë ide se çfarë po ndodh rreth meje. Jam i përqendruar te ndeshjet dhe skuadra. Dua të vazhdoj të përmirësohem, të fitoj më shumë besim dhe ta ndihmoj ekipin të fitojë”, deklaroi Williams.
24-vjeçari foli edhe për paraqitjen e skuadrës ndaj Malagas, duke pranuar se Athletic Bilbao e humbi kontrollin e ndeshjes pas një pjese të parë shumë të mirë, duke i dhënë kundërshtarit mundësi për të rrezikuar epërsinë.
Williams ka kontratë me Athletic Bilbaon deri në qershor të vitit 2035, ndërsa klauzola e tij e largimit raportohet të jetë afër 90 milionë eurove.
Interesimi i PSG-së mbetet një nga temat që pritet të përcjellë afatin kalimtar të janarit, megjithëse vetë futbollisti nuk ka dhënë asnjë sinjal konkret për një largim të mundshëm nga klubi bask. /Telegrafi/

