Përplasja mes dy gjigantëve të teknologjisë, Apple dhe OpenAI, po thellohet. Kompania që krijoi ChatGPT ka ngritur një kundërpadi ndaj Apple, duke e akuzuar se ka përvetësuar informacione konfidenciale përmes një ish-punonjësi të saj.
Në padinë e depozituar në një gjykatë në Kaliforni, OpenAI pretendon se Apple ka siguruar dokumente dhe informacione të brendshme pasi ka punësuar një person që më parë kishte punuar për kompaninë e inteligjencës artificiale për gjashtë muaj.
Sipas OpenAI-së, ish-punonjësi kishte pasur qasje në të dhëna për një pajisje të re që kompania po zhvillon, si dhe në planet për produktet e saj të ardhshme. Ai akuzohet se kishte dërguar dhjetëra dokumente të brendshme në numrat e tij personalë të telefonit dhe më pas kishte prezantuar planet e kompanisë para drejtuesve të lartë të Apple.
“Duke pasur parasysh kohën kur kanë ndodhur këto veprime, tashmë duket se vjedhja e dokumenteve mund të ketë qenë arsyeja pse ai iu bashkua OpenAI-së që në fillim”, thuhet në kundërpadi.
OpenAI e akuzon gjithashtu Apple se po përpiqet të pengojë furnizuesit e pajisjeve elektronike që të bashkëpunojnë në zhvillimin e produkteve të saj të ardhshme. Kompania pretendon se Apple e sheh si kërcënim mundësinë që pajisjet e reja me inteligjencë artificiale të konkurrojnë drejtpërdrejt me produktet e saj.
Nga ana tjetër, Apple i ka mohuar akuzat, duke i cilësuar pretendimet e OpenAI-së si një përpjekje për të larguar vëmendjen nga çështja kryesore.
Përplasja nisi pasi Apple ngriti një padi në korrik kundër OpenAI-së dhe dy ish-punonjësve të saj, të cilët më parë kishin punuar për gjigantin amerikan. Apple pretendon se ata kishin marrë informacione konfidenciale të kompanisë dhe ia kishin dërguar vetes përmes postës elektronike përpara se të largoheshin nga puna.
Kompania akuzon OpenAI-në se ka ndjekur një strategji për të përvetësuar sekretet e saj tregtare dhe informacionet për teknologjitë e produktet që ende nuk janë publikuar.
OpenAI i ka mohuar më herët këto akuza. “Ne nuk kemi asnjë interes për sekretet tregtare të kompanive të tjera”, deklaroi një përfaqësues i saj për BBC-në.
Në këtë përballje ligjore është përfshirë edhe kompania io Products, një startup i specializuar në dizajn, i themeluar nga Jony Ive, ish-drejtues i Apple dhe një prej emrave kryesorë pas dizajnit të produkteve ikonike si iPhone, iPad, iPod dhe iMac.
Përplasja mes Apple dhe OpenAI vjen në një kohë kur kjo e fundit po punon për zhvillimin e pajisjeve personale të pajisura me inteligjencë artificiale, një fushë që mund të sjellë konkurrencë të re për produktet tradicionale të Apple.

