KORREKT / SOT28 nëntor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Teknologji

Nga 1 janari nis skema e re e pensionit privat në Gjermani, qytetarët mund të përfitojnë deri në 540 euro në vit nga shteti

Nga 1 janari nis skema e re e pensionit privat në Gjermani, qytetarët mund të përfitojnë deri në 540 euro në vit nga shteti

Gjermania do të nisë nga 1 janari 2027 një skemë të re të pensionit privat, përmes së cilës qytetarët do të mund të përfitojnë mbështetje financiare nga shteti deri në 540 euro në vit. Megjithatë, fondi standard i organizuar nga shteti pritet të mos jetë gati në ditën e fillimit të zbatimit të reformës.

Sipas televizionit publik gjerman ARD, përmes platformës Tagesschau, modeli i ri i quajtur “Altersvorsorgedepot” synon të zëvendësojë sistemin e deritanishëm të pensionit privat Riester, i cili ndër vite është përballur me kritika.

Skema e re do t’u mundësojë qytetarëve që të kursejnë për pensionin e tyre përmes investimeve në fonde indeksuese (ETF), fonde aksionesh dhe obligacione, duke përfituar njëkohësisht edhe subvencione nga shteti, transmeton Telegrafi.

Si do të funksionojë mbështetja financiare?

Sipas rregullave të reja, shteti do të kontribuojë me 50 cent për çdo euro të kursyer nga qytetari, deri në shumën prej 360 eurosh në vit.

Ndërsa për kursimet nga 360 deri në 1.800 euro në vit, shteti do të shtojë 25 cent për çdo euro të investuar.

Në këtë mënyrë, qytetarët mund të përfitojnë deri në 540 euro subvencion bazë në vit.

Për familjet parashikohet edhe mbështetje shtesë. Për çdo fëmijë mund të përfitohen deri në 300 euro në vit, me kusht që prindi të kontribuojë të paktën 25 euro në muaj në këtë skemë.

Fondi shtetëror nuk do të jetë gati në fillim

Pavarësisht nisjes së reformës më 1 janar 2027, një pjesë e rëndësishme e saj do të pësojë vonesa.

Sipas Tagesschau, oferta e fondit bazë të organizuar nga shteti nuk pritet të jetë e disponueshme në ditën e fillimit të skemës. Ministria Federale e Financave është ende duke punuar në rregulloren përkatëse, ndërsa në qarqet qeveritare përmendet mundësia që ky fond të jetë gati më së hershmi gjatë verës së vitit 2027.

Deri atëherë, qytetarët që dëshirojnë të përfitojnë nga skema e re do të duhet të shqyrtojnë ofertat e bankave, kompanive të sigurimeve dhe shoqërive të investimeve private.

Shoqata e Qendrave të Konsumatorëve në Gjermani ka kërkuar që Ministria e Financave ta përshpejtojë krijimin e fondit standard shtetëror, duke argumentuar se ai do t’u ofronte qytetarëve më shumë transparencë, kosto më të ulëta dhe kushte më të qarta investimi.

Reforma e re synon ta bëjë kursimin privat për pleqëri më tërheqës dhe t’u mundësojë qytetarëve që, krahas pensionit shtetëror, të krijojnë edhe një burim shtesë të ardhurash për vitet e pensionimit./Telegrafi/

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.