Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka bërë homazhe sot në shënim të 27-vjetorit të masakrës së Reçakut.
Pas nderimit të martirëve, Haradinaj theksoi mirënjohjen e përjetshme për të gjithë ata që u flijuan për lirinë e Kosovës. Ai tha se masakra e Reçakut ishte një pikë kthese që tërhoqi vëmendjen e NATO-s dhe Shteteve të Bashkuara ndaj krimeve serbe të kryera në Kosovë.
“Jemi përjetësisht mirënjohës UÇK-së dhe të gjithë brezave që luftuan për liri. Përkulemi me nderim të përjetshëm. Po ashtu, falënderues ndaj NATO-s dhe Amerikës për ndihmën e dhënë – ta gëzojmë lirinë”, u shpreh Haradinaj.
Ai shtoi se drejtësia për masakrat e kryera në Kosovë ende nuk është vënë në vend.
Por, sipas tij është e padrejtë që udhëheqësit e UÇK-së vazhdojnë të gjykohen, ndërkohë që autorët e krimeve serbe nuk përballen me drejtësinë. /Telegrafi/