Në cilësinë e Koordinatores Kombëtare për Mbrojtje nga Dhuna në Familje, Dhuna ndaj Grave dhe Dhuna me Bazë Gjinore, sot Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, mbajti takim me kryesuesit e Mekanizmave Koordinues Lokalë.
Në këtë takim të mbajtur në kuadër të konsultimeve për hartimin e Strategjisë së re Kombëtare për periudhën 2027-2031, Gërvalla vlerësoi rëndësinë e përvojave, sfidave dhe propozimeve konkrete të komunave.
“Mekanizmat Koordinues Lokalë kanë rol thelbësor në parandalimin e dhunës, mbrojtjen e viktimave dhe garantimin e mbështetjes së tyre në çdo fazë të riintegrimit”, tha ajo.
Ajo bëri të ditur se nga 38 komuna të Republikës së Kosovës, vetëm 20 kanë dorëzuar raportet përkatëse, ndërsa një komunë ka njoftuar se ende nuk e ka themeluar Mekanizmin Koordinues Lokal.
Këto të dhëna, siç tha Gërvalla, kërkojnë reflektim të hollësishëm e shumë serioz.
“Mbrojtja e jetës, sigurisë dhe dinjitetit të qytetarëve kërkon prani, vendimmarrje dhe angazhim të drejtpërdrejtë”, u shpreh ajo.
“Propozimet e tyre, si dhe ato të kryetarëve të tjerë të komunave, për fuqizimin ekonomik të grave, mbështetjen dhe riintegrimin e viktimave, forcimin e shërbimeve sociale dhe funksionalizimin e Mekanizmave Koordinues Lokalë, përbëjnë një kontribut të vlefshëm në ndërtimin e një Strategjie gjithëpërfshirëse, me masa konkrete dhe përgjegjësi të qarta institucionale”, tha ajo.
Në anën tjetër, Gërvalla e quajti të papranueshme mungesën e kryetarëve të tjerë të komunave në takim, për të cilët tha se nuk janë spektatorë të këtij procesi, por janë bartës të përgjegjësive ligjore dhe institucionale për funksionalizimin e Mekanizmave Koordinues Lokalë.
Në fund, ajo shtoi se Strategjia e re nuk duhet të jetë një dokument tjetër që miratohet dhe mbetet në sirtar, por duhet të prodhojë përgjegjësi të qarta, buxhete të garantuara, shërbime funksionale dhe rezultate të matshme.
“Asnjë institucion nuk mund të pretendojë se e ka përmbushur detyrën e vet nëse viktimat mbeten pa mbrojtje, pa mbështetje dhe pa perspektivë riintegrimi. Përgjegjësia nuk delegohet, nuk shtyhet dhe nuk shmanget”. /IndeksOnline

