Kur bëhet fjalë për seksin, apo mungesën e tij, secili ka një teori.
Disa fajësojnë pornografinë, të tjerë aplikacionet e takimeve online. Frika e burrave nga refuzimi, por edhe fakti që gratë po i kushtojnë gjithnjë e më shumë kohë aktiviteteve si pilatesi, përmenden gjithashtu si faktorë të mundshëm, shkruan The Guardian, transmeton IndeksOnline.
Megjithatë, pavarësisht se arsyet mbeten të paqarta, të dhënat tregojnë një trend shqetësues: bota e zhvilluar po përjeton një rënie të ndjeshme të aktivitetit seksual.
Sipas të dhënave nga Britania e Madhe, personat nën moshën 45-vjeçare po kryejnë marrëdhënie seksuale rreth dy herë më pak sesa bashkëmoshatarët e tyre në vitet 1990.
Nëse në vitet 1950 shqetësimi i brezit të vjetër ishte se të rinjtë dëgjonin Elvis Presleyn dhe përfshiheshin në aventura dashurie, ndërsa në dekadat e mëvonshme frika lidhej me pushimet e adoleshentëve në ishujt grekë dhe rrezikun e infeksioneve seksualisht të transmetueshme, sot shqetësimi është krejt tjetër: duket se të rinjtë po humbasin interesin për intimitetin.
Madje, rënia e dëshirës seksuale është krahasuar me vështirësitë që kanë pandat gjigante në robëri për t’u çiftuar, edhe kur krijohen kushtet e nevojshme.
Një studim i publikuar së fundmi ka rikthyer në vëmendje këtë fenomen dhe ka nxitur diskutime të shumta mbi arsyet e rënies së intimitetit. Studimi i katërt i Anketës Kombëtare për Qëndrimet dhe Mënyrat e Jetesës Seksuale (Natsal) zbuloi se në Britaninë e Madhe njerëzit, veçanërisht të rinjtë, po kryejnë dukshëm më pak marrëdhënie seksuale krahasuar me një dekadë më parë.

