Edhe kur arrijnë mirëqenie ekonomike, përvojat e hershme të privimit mund të vazhdojnë të ndikojnë në vendimet dhe sjelljet e tyre
Fëmijëria në të cilën paratë dhe shpenzimet e përditshme janë burim i vazhdueshëm shqetësimi mund të lërë gjurmë që nuk zhduken edhe kur gjendja financiare përmirësohet ndjeshëm.
Mënyra se si prindërit administrojnë paratë, kursejnë dhe marrin vendime financiare shpesh formëson raportin që fëmijët do të kenë me paratë në moshën madhore.
Njerëzit që janë rritur në familje që mezi ia dilnin financiarisht mund të zhvillojnë disa zakone që të tjerëve u duken të pakuptueshme, por pas të cilave shpesh fshihet nevoja për siguri.
1. Mbajnë rezerva për çdo eventualitet
Nëse gjatë fëmijërisë kanë përjetuar mungesën e ushqimeve apo produkteve elementare shtëpiake, në moshën madhore mund të zhvillojnë frikën nga mungesa e tyre.
Prandaj, disa njerëz blejnë dhe grumbullojnë produkte edhe kur nuk kanë nevojë për to.
Në ndërgjegjen e tyre vazhdon të ekzistojë shqetësimi se një ditë mund të mbeten pa gjërat e nevojshme. Dollapët dhe depot e mbushura u krijojnë ndjenjën e sigurisë.
2. Mbajnë gjithmonë para rezervë për raste emergjente
Njerëzit që janë rritur në pasiguri financiare shpesh preferojnë të kenë para të kursyera, ndonjëherë edhe të fshehura në shtëpi dhe jo vetëm në llogari bankare.
Për ta nuk është e rëndësishme vetëm shuma e kursyer, por siguria se kanë një rezervë financiare nëse përballen me ndonjë situatë të vështirë.
Kjo u mundëson të ndihen më të qetë dhe të kenë ndjesinë e kontrollit mbi jetën e tyre, transmeton Telegrafi.
Getty Images
3. Ndihen në faj kur blejnë diçka të bukur për veten
Edhe kur në moshën madhore kanë të ardhura të mjaftueshme, disa njerëz e kanë të vështirë t’i lejojnë vetes blerjen e diçkaje që nuk është e domosdoshme.
Nëse gjatë fëmijërisë i kanë parë prindërit duke llogaritur çdo qindarkë dhe duke hequr dorë nga kënaqësitë e vogla, mund të kenë krijuar bindjen se shpenzimi i parave për veten është papërgjegjshmëri.
Vështirësitë financiare gjatë fëmijërisë mund të lidhen edhe me ankthin dhe vetminë në moshën madhore. Edhe kur rrethanat materiale ndryshojnë, ndjenja e pasigurisë mund të mbetet.
4. Përpiqen të përfitojnë maksimalisht nga çdo qindarkë e shpenzuar
Kjo sjellje manifestohet në nevojën për të shfrytëzuar maksimalisht çdo blerje.
Për shembull, vazhdojnë të përdorin një shërbim që nuk u nevojitet më, vetëm sepse kanë paguar për të, ose konsumojnë ushqimin e mbetur edhe kur nuk kanë dëshirë, sepse u vjen keq ta hedhin.
Kur janë rritur me bindjen se paratë nuk duhen shpërdoruar, e kanë të vështirë të pranojnë se ndonjëherë është më mirë të heqin dorë nga diçka që nuk u shërben më.
5. E kanë të vështirë t’i hedhin ose t’i zëvendësojnë gjërat e prishura
Në vend që të zëvendësojnë një pajisje shtëpiake të prishur, disa njerëz përpiqen ta riparojnë me çdo kusht.
Ata janë mësuar që gjërat të ruhen dhe të riparohen, sepse blerja e produkteve të reja dikur nuk ishte gjithmonë e mundur.
Pas kësaj sjelljeje shpesh fshihet diçka më shumë sesa kursimi: një lidhje emocionale me objektet që simbolizojnë sigurinë materiale.
Zakonet financiare formohen që në fëmijëri, duke vëzhguar mënyrën se si prindërit përballen me shpenzimet dhe vështirësitë ekonomike.
Prandaj, krahas edukimit të fëmijëve për kursimin dhe administrimin e përgjegjshëm të parave, është po aq e rëndësishme t’i mësojmë të flasin për financat pa frikë, turp apo ndjenjë faji. /Telegrafi/

