Një skenë krejt e pazakontë është regjistruar në futbollin polak, ku një person me trotinet elektrik ka hyrë në fushë gjatë ndeshjes mes Stal Stalowa Wola dhe Legia Varshavës II, duke detyruar gjyqtarin ta ndërpresë përkohësisht takimin.
Ngjarja ndodhi të premten mbrëma, në kuadër të xhiros së 18-të të kategorisë së dytë të futbollit polak në një përballje që përfundoi me fitoren 3-2 të vendasve.
Në minutat shtesë të ndeshjes, një person i paidentifikuar u fut në fushë duke lëvizur me trotinet elektrik. Ai përshkoi një pjesë të konsiderueshme të terrenit, ndërsa pjesëtarët e sigurimit u vunë në ndjekje të tij.
Prania e personit në fushë e detyroi gjyqtarin ta ndalte lojën për disa çaste. Sipas raportimeve të mediave polake, ai arriti të largohej nga fusha e kamerave, ndërsa nuk dihet nëse sigurimi arriti ta kapte. Pas ndërprerjes së shkurtër, ndeshja vazhdoi normalisht.
Por, incidenti i pazakontë nuk ishte e vetmja ngjarje interesante e kësaj përballjeje.
Legia Varshava II kishte krijuar epërsi prej dy golash që në 20 minutat e para, me Adam Ryczkowskin që shënoi në minutën e tetë dhe Przemyslaw Mizerën që realizoi për 2-0 në minutën e 20-të.
Megjithatë, vendasit reaguan fuqishëm në pjesën e dytë. Maciej Sliwa ngushtoi rezultatin në minutën e 69-të, ndërsa Jakub Jelen barazoi shifrat në minutën e 79-të.
Përmbysjen e plotë të rezultatit Stal Stalowa Wola e realizoi në minutën e 85-të, kur Maksymilian Hebel shënoi nga pika e bardhë për 3-2.
Kështu, vendasit siguruan tri pikët pas një përmbysjeje të madhe, ndërsa ndeshja do të mbahet mend edhe për ndërhyrjen e pazakontë të personit me trotinet elektrik./Telegrafi/

