Milot Avdyli ishte protagonist në mbrojtjen e Celjes, e cila të enjten mbrëma barazoi 0-0 në udhëtim te Ferencvaros në Ligën e Evropës. Kampionët sllovenë rikthehen në shtëpi me një pikë të çmuar nga një ndeshje e vështirë ndaj gjigantëve hungarezë.
Futbollisti kosovar luajti në krahun e majtë të mbrojtjes dhe qëndroi në fushë gjatë gjithë kohës. Pas fishkëllimës përfundimtare, ai foli për mediat dhe tregoi kënaqësinë me paraqitjen e ekipit.
“Kur nuk fiton, është shumë e rëndësishme të mos humbasësh. Këtë e arritëm dhe luajtëm një ndeshje të mirë. Duam të tregohemi më të rrezikshëm në sulm, por përndryshe jam shumë krenar për skuadrën. Faleminderit shokëve të ekipit dhe tifozëve tanë. Po ecim përpara dhe mendoj se jemi në rrugën e duhur”, u shpreh Avdyli, shkruan Indeks Online.
24-vjeçari është shndërruar në një lojtar të vërtetë universal te Celje, duke e provuar veten në pozicione të ndryshme. Ai vetë tregoi rrugëtimin e tij në skuadër.
“Kur kam ardhur te Celje, luaja si numër dhjetë. Më pas isha sulmues krahu, ndërsa tani luaj si mbrojtës. Për mua e vetmja gjë që ka rëndësi është të luaj! Më pëlqen të mësoj pozicione të reja dhe dua të vazhdoj të luaj mirë e të përparoj”, përfundoi vushtrria.
Ndeshja ndaj Ferencvarosit ishte paraqitja e 72-të e Avdylit me fanellën e Celjes. Vetëm te FC Aarau ka mbledhur më shumë ndeshje, ndërsa përpara transferimit në Celje ai ka luajtur edhe për Vorskla Poltavën./IndeksOnline/

