Delegacioni i Beshiktashit është nisur për në shtëpi pas fitores 2-1 ndaj Hapoel Be’er Shevës në Europa League.
Po ashtu edhe 16-të tifozët e klubit turk janë liruar nga policia, njoftuan mediat turke, shkruan Indeks Online.
Klubi publikoi foto nga aeroplani gjatë kthimit, pas një udhëtimi të shënuar nga stuhia, përplasjet në stadium dhe reagimet e ashpra.
Aeroplani me ekipin u nis të mërkurën nga Stambolli, por nuk mundi të ulej në Batumi për shkak të motit të keq. Sipas TRT Sport-it, avioni u godit nga rrufeja gjatë fluturimit dhe pasagjerët përjetuan turbulenca të forta. Ai u ridrejtua në aeroportin Rize-Artvin në Turqi, nga ku ekipi vazhdoi rrugën për tokë drejt Gjeorgjisë. Si pasojë, konferenca për shtyp e trajnerit Vincenzo Italiano u anulua.
Ndeshja ishte caktuar fillimisht në Stamboll, por UEFA e zhvendosi në Batumi për arsye sigurie. Beshiktashi ishte zyrtarisht nikoqir. Tensionet u ndjenë që para fillimit, kur lojtarët e Beshiktashit refuzuan t’u shtrëngonin duart kundërshtarëve gjatë ceremonisë, ndërsa tifozët e tyre brohoritën në mbështetje të Palestinës.
Në minutën e 26-të loja u ndërpre. Policia gjeorgjiane, sipas mediave, përdori gaz piper ndaj tifozëve turq pasi ata shpalosën një banderolë politike. Pamjet treguan një tifoz të shtrirë në barelë. Të dy ekipet u tërhoqën në vestiare, dhe loja rifilloi pas rreth gjysmë ore. Beshiktashi fitoi 2-1 me gola në fund të ndeshjes.
Beshiktashi akuzoi forcat e sigurisë gjeorgjiane për përdorim të “disproporcionuar” të forcës para dhe gjatë ndeshjes dhe tha se ka paraqitur ankesë zyrtare te UEFA. Fenerbahçe, Trabzonspor dhe Galatasaray dolën me deklarata mbështetjeje për Beshiktashin, duke kritikuar vendimin e UEFA-s për vendin e ndeshjes dhe sjelljen e policisë. Sipas Hürriyet Daily News, edhe ministra turq e dënuan ndërhyrjen dhe kërkuan mbrojtje për qytetarët turq dhe masa ligjore ndaj përgjegjësve.
Ndeshja tjetër e Beshiktashit në garë është në transfertë, ndaj Bayer Leverkusenit, më 10 dhjetor./IndeksOnline/

