Lojtarët e Real Madridit kanë marrë makinat e tyre të reja zyrtare këtë sezon si pjesë e bashkëpunimit tradicional me BMW që filloi në vitin 2022. Fituesi bindës në dhomën e zhveshjes ishte përsëri BMW XM Label, versioni më i fuqishëm i këtij SUV hibrid plug-in me vlerë deri në 195,000 euro, i cili u zgjodh nga 15 lojtarë të ekipit të parë – përfshirë Jude Bellinghamin.
23-vjeçari ndërkombëtar i Anglisë ka qenë në qendër të vëmendjes së mediave globale këto ditë për një rrëfim të pazakontë. Edhe pse ka marrë një hibrid sportiv me një çmim marramendës, Bellingham nuk do të jetë në gjendje ta ngasë atë – sepse ende nuk ka patentëshofer.
Në një intervistë për British Vogue, Bellingham shpjegoi se ishte përpjekur të kalonte provimin e drejtimit të makinës që nga vitet e adoleshencës, por karriera e tij në futboll vazhdonte të i pengonte.
“Kur isha 17 vjeç, mendova se do ta kaloja provimin brenda dy muajsh. Por pastaj shkova në Gjermani dhe pastaj gjeta justifikime”, pranoi anglezi me të qeshur. “E provova në Gjermani, por nuk munda t’i lexoja tabelat rrugore. Më vonë shkova edhe për një provim praktik drejtimi në Spanjë, por as ai nuk shkoi aq mirë”.
Ndërsa gjatë kohës së tij te Borussia Dortmundi, prindërit e tij, Mark dhe Denise, ose shoferët e klubit, e çonin në stërvitje, në Madrid kamerat shpesh e filmonin atë duke mbërritur në kampin Valdebebas të klubit me taksi, ndërsa shokët e tij të ekipit mbërrinin me supermakinat e tyre të shtrenjta.
Ai nuk duket se e vret fare situatën. “Do të jem pasagjer për gjithë jetën time. Pse jo”, tha me shaka futbollisti.

