Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Albena Reshitaj, ka ngritur shqetësime lidhur me Projektligjin për fertilizimin e asistuar mjekësor, duke vlerësuar se ai ka mangësi sa i përket sanksioneve për keqpërdorimin e embrioneve dhe materialit gjenetik.
Duke folur në emisionin “Ora 7” në Klan Kosova, ku u diskutua për sterilizimin në moshën 18-vjeçare dhe përmbajtjen e projektligjit të ri, Reshitaj tha se duhet të përcaktohen qartë ndëshkimet për abuzimet e mundshme.
Ajo theksoi se projektligji duhet të trajtojë me kujdes përdorimin e embrioneve për qëllime komerciale, industriale dhe eksperimentale, si dhe manipulimet gjenetike.
“Edhe në projektligj ka mangësi sa i përket ndëshkimit, sanksioneve që jepen për ata që abuzojnë me embrione. Duhet të kemi shumë kujdes për sa i takon keqpërdorimit të embrioneve për qëllime komerciale, industriale dhe eksperimentale, manipulimet gjenetike me embrione, që është shumë e rëndësishme… definohen saktë në nen. Pastaj trafikimi i gameteve, aborti selektiv i embrioneve të gjinisë së caktuar e kështu me radhë…”, deklaroi mes tjerash Reshitaj.
Një tjetër çështje që ajo e konsideroi problematike është përcaktimi që aktet nënligjore të nxirren me vendim të ministrit dhe jo të ministrisë.
Sipas saj, çështje kaq të ndjeshme nuk duhet të varen nga vendimmarrja e një ministri, pasi udhëheqësit institucionalë ndryshojnë me kalimin e kohës.
Reshitaj foli edhe për një rast që, sipas saj, ishte prezantuar gjatë një takimi të Komisionit për Shëndetësi në Kuvend, ku kishin marrë pjesë përfaqësues të institucioneve të ndryshme.
Ajo tregoi se, sipas informacionit të dhënë nga një inspektore e shëndetësisë, vite më parë ishte zbuluar një rast i një gruaje që dyshohej se kishte dhuruar 30 vezë në disa spitale.
Deputetja ngriti shqetësimin se, në mungesë të një kornize të qartë ligjore, nga i njëjti material gjenetik mund të krijohen embrione që mund të rezultojnë në lindjen e shumë fëmijëve, të cilët mund të mos jenë në dijeni për lidhjen e tyre gjenetike.
Reshitaj vlerësoi se këto çështje kërkojnë rregullim të qartë ligjor, me qëllim parandalimin e abuzimeve dhe mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve dhe prindërve.

