Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi, ka paralajmëruar mbajtjen e një proteste gjatë muajit dhjetor, para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës.
Në një intervistë për Ekonomia Online, Azemi ka thënë se vendimi për protestë është marrë në takimin e mbajtur me kryetarët e shoqatave të punëtorëve të sektorit privat.
Ai ka bërë të ditur se protesta do të jetë njëorëshe dhe do të mbahet para objektit të Qeverisë së Kosovës, ndërsa data ende nuk është caktuar përfundimisht.
“Ne dje kemi mbajtur një takim dhe jemi pajtuar që në muajin dhjetor të mbahet një protestë, e cila ka të bëjë me pagën minimale, pagën e 13-të dhe stazhin e punës. Për datën ka mbetur që vetë kryetarët e shoqatave të propozojnë ditën më të favorshme dhe unë orientimisht mund të them se kjo datë mund të jetë diku përafërsisht 15 dhjetori”, tha Azemi.
Rreth kërkesave të sindikatave, Azemi thotë se janë njoftuar institucionet e Kosovës, por që nuk kanë marrë përgjigje lidhur me pagën e 13-të për punëtorët e sektorit privat.
“Paraprakisht, para se të vijmë deri te ky takim, unë në prill të këtij viti i kam dërguar shkresë Albulena Haxhiut, kryetare e Kuvendit, e cila duhet që edhe për punëtorët e sektorit privat të Kosovës të futet në legjislacionin e, po themi, Kuvendit të Kosovës dhe të aprovohet që në momentin kur paga e 13-të ndahet për punëtorët e sektorit publik, duhet të ndahet edhe për ne. Normal që ne i kemi shkruar shkresë zyrtare e cila është e protokolluar: Albulena Haxhiut, kryetare e Kuvendit, komisioneve parlamentare në Kuvendin e Kosovës — Përparim Grudës, Fatmire Kollçakut, Enver Halitit dhe Komisionit Parlamentar për Industri, si dhe u kemi shkruar të gjitha grupeve parlamentare, sepse derisa janë në parlament ata, normal që po tregohen shumë njerëz të afërt me punëtorët e sektorit privat të Kosovës, por megjithatë në prill u kemi shkruar atyre të gjitha edhe partive politike, normal që janë pjesë përbërëse e Parlamentit të Kosovës, dhe deri më tani nuk kemi në lëvizje”, theksoi ai.
Azemi ka folur edhe për çështjen e stazhit të punës, duke thënë se rreth 90 për qind e punëtorëve të sektorit privat nuk e gëzojnë këtë të drejtë.
“Normal që ne në takimin e djeshëm kemi biseduar për pagën minimale, kemi biseduar për pagën e 13-të e cila u jepet punëtorëve të sektorit publik, kemi biseduar për kompletimin e dokumentacionit ose ligjit për stazhin e punës së punëtorëve të sektorit privat, të cilët 90% të tyre nuk e gëzojnë. Dhe kemi dhënë një njoftim për punëtorët e sektorit privat, gjithsesi për punëtorët që kanë punuar gjatë kohës së Covid-it, ku i kemi njoftuar anëtarësinë, kryetarët e shoqatave se çka po ndodh me lëndën e cila shpresojmë që shumë shpejt do të përfundojë”, potencoi Azemi për Ekonomia Online.
Kreu i sindikatës ka kritikuar edhe mungesën e rregullimit ligjor për pagesën e stazhit të punës për punëtorët e sektorit privat, duke thënë se ata nuk e gëzojnë të njëjtën të drejtë sikurse punëtorët e sektorit publik.
Tutje, Azemi ka përmendur edhe mbi 800 lëndët që sindikata i ka në Gjykatën Themelore të Prishtinës, lidhur me mungesën e rregullimit ligjor për pagesën e stazhit të punës për punëtorët e sektorit privat.
“Stazhi i punës, ju e dini që punëtorët e sektorit publik e marrin stazhin, përvojën e punës; deri sot tek ne kemi pasur një marrëveshje kolektive e cila pothuajse gati 10 vjet nuk është në fuqi dhe nuk na e jep atë të drejtë që ta kemi stazhin e punës. Dhe sa i përket lëndës që kemi mbi 800 lëndë në Gjykatën Themelore të Prishtinës, i kemi njoftuar anëtarësinë se lënda është në procedim e sipër, normal që mbi 90% të rasteve i kemi fituar, por në këtë fitim tonin qeveria është ankuar dhe normal që duhet të shkojmë procedurat ligjore. Njoftoj anëtarësinë që të gjitha shpenzimet të cilat po bëhen për një farë forme rifreskimin e kësaj lënde bëhen nga vetë sindikata”, potencoi ai për EO.
I pyetur se çfarë masash do të ndërmarrin nëse kërkesat nuk plotësohen, Azemi ka thënë se do të kërkojnë rrugë ligjore për realizimin e tyre.
“Në rend të parë është ajo, sepse masat, po themi, më të dëmshme që po merren janë masat të cilat ju e dini që punëtorët ka 45 mijë brenda muajit po ikin, megjithatë ne sigurisht se do të gjejmë një rrugë ligjore dhe rrugë të arsyeshme për të cilat këto duhet të realizohen, sepse ju e dini që kryeministri ka premtuar mbështetje për punëtorët e sektorit privat të Kosovës. Të gjitha këto pika që i folëm janë përgjegjësi e kryeministrit të Kosovës. Paga e 13-të është përgjegjësi e kryeministrit, sepse normal që i ka akterët e vet edhe sindikatat edhe ministrin e Financave. Paga e 13-të është ekskluzivisht në dorë të Qeverisë së Kosovës; stazhi i punës është ekskluzivisht në objektivin ose është në dorën e kryeministrit, sepse ai duhet të krijojë bazë ligjore që edhe këta punëtorë ta marrin. Normal, tek çështja e Covid-19 është çështje e gjykatës, kurse këto tri pika të cilat janë direkte të drejtuara dhe janë obligim zyrtar ligjor i kryeministrit të Kosovës”, sqaroi Azemi.
Ndryshe, më 31 tetor, Qeveria në detyrë ka miratuar Projektbuxhetin prej mbi 4 miliardësh për vitin 2026. Me këtë, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, pati theksuar se do të përfshihet edhe paga e 13-të për të gjithë punonjësit e sektorit publik.

