Një person është arrestuar në Prizren, pasi dyshohet se ka tentuar ta godasë me veturë një zyrtar policor, i cili i kishte dhënë shenjë për ndalim në një pikë kontrolli të automjeteve.
Sipas raportit të Policisë, rasti ka ndodhur më 26 nëntor, rreth orës 01:02, në rrugën “Rrust Kabashi”.
I dyshuari, i cili ishte duke drejtuar një veturë, nuk i është bindur urdhrit të policit për ndalim dhe ka vazhduar lëvizjen. Gjatë kësaj kohe, ai ka shkaktuar vetaksident, ku në veturë ndodheshin edhe tre pasagjerë.
“Rr. Rrust Kabashi, Prizren 26.11.2026 – 01:02. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, për shkak se derisa ka qenë duke e drejtuar veturën me targa vendore, ka tentuar ta godas me veturë zyrtarin policor i cili i kishte dhënë shenjë për ndalje gjersa ka qenë në pikë kontrolli të automjeteve. I dyshuari pasi nuk është ndalur me veturë ka vazhduar rrugën dhe ka shkaktuar vet-aksident me të cilin kanë qenë edhe tre pasagjer. Si pasojë e aksidentit janë shkaktuar vetëm dëme materiale. I dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e policisë./Indeksonline/

