Analisti i çështjeve politike, Ibrahim Shala, ka vlerësuar se çështja e Dhomave të Specializuara të Kosovës duhet të trajtohet nga partitë politike përtej ndasive të brendshme, duke e lidhur atë me sovranitetin e shtetit dhe mbrojtjen e karakterit çlirimtar të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Duke folur në emisionin “Five” në TV Dukagjini, Shala ka thënë se pas shqiptimit të aktgjykimit të shkallës së parë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, si dhe mosargumentimit të disa prej pretendimeve kryesore të aktakuzës, Gjykata Speciale është përballur me goditje të rëndësishme në aspektin e arsyetimit mbi të cilin ishte themeluar.
Sipas tij, zhvillimet në këtë proces kërkojnë një qasje të përbashkët të partive politike, pasi çështja nuk duhet të mbetet pjesë e përplasjeve të zakonshme politike.
“Raporti i shtetit tonë me DHSK, sidomos pas shqiptimit të dënimit dhe pranimit të vetës gjykatës se nuk është mundur të argumentohet trafikimi i organeve edhe krimi kundër njerëzimit nuk është argumentuar, gjykata ka marrë goditje të fuqishme dhe nuk arsyeton më kërkesën kur është bërë për tu themeluar”, ka deklaruar Shala.
Ai ka kritikuar gjithashtu strukturën juridike të Dhomave të Specializuara, duke e cilësuar atë si një sistem paralel mbi sistemin juridik të Kosovës, i cili, sipas tij, cenon sovranitetin e vendit.
“Dhe është krijuar një super strukturë juridike, një sistem paralel, mbi këto sistemin juridik që e kemi. Është një sui generi, kjo ta cenon sovranitetin e vendit. Prandaj, partitë tona politike këtë çështje duhet ta shohin përtej luftës politike. Duhet ta lidhin me sovranitetin e shtetit”, ka thënë ai.
Shala ka theksuar se mbrojtja e karakterit të luftës së UÇK-së është interes shtetëror, historik, politik dhe kombëtar, duke kërkuar që partitë politike të kenë një qëndrim të përbashkët për këtë çështje.
“Pastaj duhet ta lidhin me vlerësimin e luftës së drejtë të UÇK, sepse është interes shtetëror, historik e politik e kombëtar që të mbrohet pastërtia e luftës. Lufta e jonë ka qenë çlirimtare. Karakteri i luftës çlirimtare duhet të mbrohet”, është shprehur Shala.
Deklaratat e tij vijnë në kohën kur PDK-ja e LVV po synojnë të procedojnë një iniciativë të re ligjore për Dhomat e Specializuara, për të cilën ushtruesja e detyrës së kryetares së kësaj partie, Vlora Çitaku, ka paralajmëruar se synohet të miratohet në dy leximet gjatë muajit dhjetor.
Ndërkohë, Shala ka vlerësuar se kjo çështje duhet të shërbejë si pikë bashkimi për partitë politike, pavarësisht dallimeve të tyre.
“Ndasitë politike janë probleme të brendshme. Dhe kemi kohë për t’i trajtuar, për atë është parlamenti. Këtë rast e kemi sfidë me BE-në. Ku është në pyetje karakteri çlirimtar i luftës, pafajësia e drejtuesve të luftës dhe njëherit, kthimi në vend i sovranitetit të vendit”, ka theksuar Shala.

