Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se deri në fund të dhjetorit të këtij viti pritet të përfundojë pjesa prodhuese e fabrikës së municionit në Gjakovë dhe të realizohet prodhimi i parë testues.
Ndërkaq, laboratorët, depot dhe objektet e tjera të kompleksit industrial parashihet të përfundojnë gjatë vitit 2027.
Këto afate Kurti i bëri të ditura në seancën e Kuvendit të Kosovës, në përgjigje të pyetjeve të deputetes së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Besa Kabashi-Ramaj, e cila kërkoi sqarime për financimin e projektit, detyrimet që rrjedhin nga marrëveshja me kompaninë shtetërore turke MKE dhe afatet për funksionalizimin e fabrikës.
Kabashi-Ramaj kërkoi të dijë se në cilin program, nënprogram dhe projekt buxhetor është paraparë financimi i fabrikës për vitin 2027, me cilin kod dhe me çfarë shume konkrete. Ajo kërkoi gjithashtu informacione për vlerën e përgjithshme të kontratës me MKE-në, shumën e paguar deri më tani dhe detyrimet që mbesin për vitet e ardhshme.
Në përgjigjen e tij, Kurti tha se kontrata me kompaninë turke është e klasifikuar dhe se pagesa është realizuar plotësisht, duke theksuar se nuk ka detyrime financiare të papaguara ndaj MKE-së.
“Për këtë projekt është lidhur kontratë e klasifikuar me kompaninë shtetërore turke MKE. Pagesa e kontratës është realizuar plotësisht dhe nuk ka detyrime të papaguara financiare ndaj MKE-së”, deklaroi Kurti.
Ai tha se për shkak të klasifikimit nuk mund të bëhen publike vlera e përgjithshme e kontratës, shuma e pagesës, specifikimet teknike, makineritë dhe hollësitë e tjera financiare e teknike.
Kryeministri bëri të ditur se para nënshkrimit të kontratës janë realizuar dy studime të fizibilitetit nga dy kompani të vendeve anëtare të NATO-s.
Sa i përket ndarjes prej një milion eurosh në projektbuxhetin e vitit 2027 për projektin “Rrethoja e sigurisë, parku industrial i mbrojtjes”, Kurti sqaroi se këto mjete nuk janë të dedikuara drejtpërdrejt për ndërtimin e fabrikës së municionit.
Sipas tij, kjo shumë është paraparë për rrethojën e sigurisë së zonës së përgjithshme industriale, e cila përfshin 144 hektarë tokë. Ndërsa kompleksi i prodhimit të municioneve do ta ketë rrethojën e vet, e cila do të ndërtohet nga MKE-ja.
Kurti njoftoi gjithashtu se Ministria e Mbrojtjes tashmë ka rekrutuar stafin që do të punojë në fabrikë. Para fillimit të prodhimit testues, punonjësit pritet të ndjekin trajnime specialistike në Turqi.
Ai tha se në fazën fillestare punonjësit janë angazhuar përmes një projekti trevjeçar, në të cilin janë planifikuar pagat dhe shpenzimet përkatëse.
Kurti e cilësoi fabrikën e municionit si projekt strategjik për rritjen e kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës, duke thënë se prodhimi vendor do ta forcojë sigurinë e furnizimit me municion për ushtrinë, policinë dhe institucionet e tjera të sigurisë, si dhe do ta ulë varësinë nga prodhuesit e huaj.
Kontrata për fabrikën e municionit me prodhuesin shtetëror turk MKE është nënshkruar në dhjetor të vitit 2024. Përmbajtja e saj është mbajtur konfidenciale, ndërsa është bërë e ditur se, përveç makinerive prodhuese, marrëveshja përfshin edhe trajnimin e stafit, mirëmbajtjen për një periudhë të caktuar, si dhe pajisjet për testimin e cilësisë dhe kalibrimin.

