Migrimi neto në Mbretërinë e Bashkuar ka rënë në 77 mijë persona, niveli më i ulët që nga viti 1997, me përjashtim të periudhës së pandemisë COVID-19. Kështu tregojnë të dhënat e publikuara nga Zyra për Statistikat Kombëtare (ONS).
Sipas të dhënave, migrimi neto në vitin që përfundoi në qershor ka rënë për 92 për qind krahasuar me nivelin rekord prej 944 mijë personash, të regjistruar në vitin që përfundoi në mars të vitit 2023.
Migrimi neto paraqet diferencën mes numrit të personave që hyjnë në një shtet dhe atyre që largohen prej tij.
ONS vlerëson se gjatë 12 muajve deri në qershor, në Mbretërinë e Bashkuar kanë emigruar 738 mijë persona, ndërsa 661 mijë janë larguar nga vendi.
Ministrja e Brendshme, Shabana Mahmood, tha se këto shifra dëshmojnë se qeveria laburiste ka arritur rezultate pas dështimeve të konservatorëve. Në anën tjetër, Chris Philp, përfaqësues i konservatorëve për çështjet e brendshme, ia atribuoi rënien kufizimeve të vizave të vendosura nga qeveria e tij para zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2024.
Kjo është hera e parë që migrimi neto në Mbretërinë e Bashkuar bie në dhjetëra mijëra që nga premtimi i ish-kryeministrit David Cameron, 16 vjet më parë, për ta ulur atë në këtë nivel.
Sipas ONS-së, faktorët kryesorë që ndikuan në këtë rënie ishin zvogëlimi i numrit të personave që vijnë nga jashtë Evropës për punë, studime dhe për të kërkuar azil.
Konkretisht, numri i personave që erdhën në Mbretërinë e Bashkuar për punë ra për 45 mijë, kërkesat për azil u zvogëluan për 19 mijë, ndërsa numri i studentëve ra për 33 mijë.
Këto rënie ishin të pritshme pas shtrëngimit të rregullave për vizat, të nisur nga qeveria e mëparshme konservatore dhe të vazhduara nga qeveria laburiste pas marrjes së pushtetit në korrik të vitit 2024.
Si rezultat i këtyre politikave dhe largimit të më shumë personave nga vendi, migrimi neto, i cili kishte nisur të binte edhe më herët, është përgjysmuar më shumë vetëm gjatë 12 muajve të fundit.

