Debat është zhvilluar në seancën e Kuvendit të Kosovës, gjatë pikës së pyetjeve parlamentare, ndërmjet deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Eman Rrahmani, dhe kryeministrit Albin Kurti.
Përplasja nisi pasi Rrahmani ngriti çështjen e përfshirjes së temave që lidhen me orientimin seksual dhe gjininë në shkolla, duke kërkuar nga kryeministri sqarime për atë që, sipas tij, ishte paraqitur si një prej të arriturave të Qeverisë në fushën e arsimit.
Para se ta parashtronte pyetjen, deputeti i PDK-së kërkoi respektimin e Rregullores së Kuvendit dhe tha se nuk duhet t'i mohohet e drejta për të bërë pyetje e për të diskutuar çështje që i konsideron të rëndësishme.
“Ashtu siç edhe në pyetjet parlamentare, kam qenë shumë i saktë në gjuhën parlamentare, për çka jam akuzuar prej jush, duke lexuar ligje e projektligje të ardhura në këtë Kuvend, edhe këto që po i diskutoj janë diskutime dhe çështje që kanë të bëjnë me dokumentet dhe angazhimet të cilat janë diskutuar dhe janë po projekte të Kuvendit. Dhe kërkoj që të mos shkelet Rregullorja dhe të mos mohohet e drejta si deputet edhe për të bërë pyetje, edhe për të diskutuar rreth tyre”, tha Rrahmani.
Më pas, ai iu drejtua Kurtit duke rikujtuar ekspozenë për punën katërvjeçare të Qeverisë, në të cilën, sipas tij, përfshirja e mësimit për orientimet seksuale në shkolla ishte paraqitur si një prej sukseseve në arsim.
“Kryeministër në ekspozenë për punën tuaj katërvjeçare, nëse e mbani mend, ndër sukseset në arsim keni paraqitur edhe përfshirjen e mësimit për orientimet seksuale në shkolla. Ju e konsideroni arritje kryesore në fakt në arsim që fëmijëve t’u paraqitet si vlerë civilizuese ideja se njeriu mund të zgjedhë gjininë dhe të martohet me kë të dëshirojë, përfshirë me një person të të njëjtës gjini”, deklaroi ai.
Në përgjigjen e tij, Kurti tha se çështja e doracakut, për të cilën ishte diskutuar edhe më herët, ishte sqaruar nga ana e tij në vitin 2024 dhe se nuk kishte diçka të re për të shtuar.
“E mbaj mend shumë mirë që pat bërë një diskutim të gjatë për një të ashtuquajtur skandal për një doracak, të cilin unë e kam sqaruar tashmë. E kam sqaruar me një video-adresim në vitin 2024 dhe nuk kam çfarë të shtoj të re asaj. Ndërkaq, meqenëse ju kërkoni sqarime për arritjet, dua t’ju them që disa nga këto i kam theksuar edhe në seancën e 2 dhjetorit 2024, kur kam raportuar në Kuvend para deputetëve për katërvjeçarin e qeverisë”, tha Kurti.
Kryeministri më pas renditi disa prej politikave që i cilësoi si të arritura të Qeverisë në arsim. Ai përmendi arsimin publik pa pagesë, duke thënë se mbi 173 mijë studentë në nivelin bachelor dhe master janë liruar nga pagesat.
“Arsimin publik pa pagesë, për herë të parë mbi 173,000 studentë në nivelin bachelor dhe master janë liruar nga pagesat, ndërkohë që janë ndarë miliona euro mbështetje dhe bursa, veçanërisht për vajzat, për shkencë, teknologji, inxhinieri edhe matematikë apo STEM”, deklaroi Kurti.
Ai tha se gjatë mandatit Kurti 2 janë ndarë 18 mijë bursa, në vlerë prej 20 milionë eurosh, ndërsa rreth 40 për qind e tyre kanë qenë për fushat STEM.
“Dikund në mandatin Kurti 2, qysh njihet në mënyrë të popullarizuar, janë ndarë 18,000 bursa, 20 milionë euro dhe rreth 40 për qind të bursave janë pikërisht për STEM dhe aty 90 për qind janë për gra dhe për vajza”, tha ai.
Ndër të tjera, Kurti përmendi rritjen e numrit të fëmijëve në çerdhe, shtimin e asistentëve për fëmijët me nevoja të veçanta dhe bursat për nxënësit nga komunitetet.
“Pastaj kemi mbështetjen e hershme dhe gjithëpërfshirëse, rritja e numrit të fëmijëve në çerdhe për 33 për qind, shtimi i qindra asistentëve për fëmijë me nevoja të veçanta, si dhe bursa të dedikuara për nxënësit nga komunitetet”, u shpreh kryeministri.
Ai përmendi gjithashtu shtesat financiare për fëmijët dhe nënat lehonë, duke e cilësuar mbështetjen për familjen si një prej politikave të rëndësishme të Qeverisë.
“Lehtësira për familjen, për herë të parë pas luftës fëmijët tanë dhe nënat lehonë përfitojnë shtesa të rregullta financiare nga shteti. Po e ritheksoj, nëse ka ndonjë qeveri që ka bërë shumë për familjen, është pikërisht kjo. E tash në këtë mandat e kemi familjen edhe në kuadër të një ministrie në mënyrë të posaçme, Ministria për Punë, Familje dhe Vlera të Luftës Çlirimtare”, deklaroi Kurti.
Duke iu rikthyer temës së ngritur nga Rrahmani, kryeministri tha se të arriturat në arsim janë paraqitur edhe në dokumentin e publikuar nga ai, duke iu referuar faqeve 20 dhe 21. Ai kritikoi deputetin për rikthimin e vazhdueshëm te e njëjta çështje.
“Kur jemi te të arriturat, ajo që kam publikuar dje për arsimin ka shumë suksese aty, që mund t’i gjeni në faqen 20 dhe 21. Po unë e kuptoj, por nuk mund të them që e mirëkuptoj rikthimin e variacioneve të ndryshme të së njëjtës temë që ju e bëni vazhdimisht. Nuk ka çështje të paadresuara deri më tani”, tha Kurti.
Ai shtoi se Qeveria synon që fëmijët të informohen si për vlerat tradicionale, ashtu edhe për zhvillimet bashkëkohore, duke theksuar se nuk bëhet fjalë për imponimin e ideve apo ofertave ndaj tyre.
“Ne dëshirojmë që fëmijët të jenë të edukuar, të jenë të informuar me vlerat tona edhe tradicionale të gjuhës e të kulturës sonë, por në anën tjetër edhe me trendet bashkëkohore, duke i mbrojtur fëmijët nga cenimet dhe rreziqet e ndryshme që mund t’u vijnë. Nuk bëhet fjalë për kurrfarë ofertash apo imponimesh fëmijëve, siç jemi akuzuar”, u shpreh kryeministri.
Në fund, Kurti iu përgjigj drejtpërdrejt Rrahmanit, duke kritikuar rikthimin e tij te temat e seksit, gjinisë dhe orientimit seksual.
“Këtu ka shumë gjëra, por unë e kuptoj, edhe një herë po e ritheksoj, që nuk e mirëkuptoj që ju e risjellni edhe një variant tjetër të së njëjtës temë, gjithmonë seksi, gjinia, orientimi seksual. Provoni ndoshta ta mbani mendjen diku tjetër, se mbase ndihmon”, tha Kurti.

