Rusia ka goditur Kievin me raketa balistike gjatë natës, duke plagosur shtatë persona dhe duke goditur një qendër tregtare dhe dy ndërtesa të tjera, ka bërë të ditur kryetari i kryeqytetit ukrainas, Vitali Klitschko. Ndërkohë, Moska pretendon se ka shënjestruar objekte të lidhura me prodhimin dhe ruajtjen e dronëve në qytet.
Një seri shpërthimesh të fuqishme u dëgjuan gjatë natës në Kiev, ndërsa një zjarr i madh vazhdonte të digjej edhe të enjten në mëngjes në pjesën lindore të qytetit, në anën e majtë të lumit Dnipro. Nga zjarri u ngritën kolona të dendura tymi të zi në qiell.
Të mërkurën në mbrëmje, kryetari i Kievit, Vitali Klitschko, u bëri thirrje banorëve përmes një postimi në Telegram që të qëndronin në strehimore, shkruan Reuters, transmeton Dukagjini.
Ai tha se raketat kishin goditur një qendër tregtare dhe dy ndërtesa të tjera në pjesën lindore të qytetit, në anën tjetër të lumit Dnipro, i cili e ndan kryeqytetin ukrainas. Sipas tij, njëra prej ndërtesave ishte dëmtuar rëndë.
Klitschko njoftoi se shtatë persona ishin plagosur, dy prej të cilëve në gjendje të rëndë.
Ministria ruse e Mbrojtjes deklaroi të enjten se gjatë natës kishte goditur dy lokacione në Kiev. Njëri prej tyre ishte kompania “Khimvolokno”, e cila, sipas Moskës, prodhon pjesë për kokat luftarake të dronëve.
Lokacioni tjetër ishte një objekt i kompanisë “Oakline”, ku, sipas pretendimeve ruse, montoheshin dhe ruheshin dronë për kompaninë ukrainase të prodhimit të dronëve dhe raketave “Fire Point”.
Reuters thekson se nuk ka arritur t'i verifikojë menjëherë këto deklarata. Ndërkaq, ushtria ukrainase nuk kishte reaguar menjëherë ndaj pretendimeve ruse.
Forcat Ajrore të Ukrainës njoftuan se Rusia kishte lëshuar gjatë natës raketa balistike, si dhe 113 dronë sulmues të tipit “Shahed”, prej të cilëve 76 ishin me motor reaktiv.
Sipas të dhënave paraprake të ushtrisë ukrainase, mbrojtja ajrore kishte rrëzuar ose neutralizuar 87 dronë.

