Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT/KRCT) ka organizuar aktivitetin simbolik “Kanavaca dhe Gjurmët e Solidaritetit”, në kuadër të Fushatës Globale “16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore”, gjatë të cilit janë vendosur hapa simbolikë nga ndërtesa e Kuvendit të Kosovës deri te Memoriali “Heroinat”.Aktiviteti synon të përcjellë mesazhin e solidaritetit dhe të kujtesës për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.
Drejtoresha Ekzekutive e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT)Feride Rushiti, ka thënë se ecja nga Kuvendi i Kosovës drejt Memorialit “Heroinat” simbolizon rrugëtimin e gjatë të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.Ajo ka theksuar se ky rrugëtim nuk është vetëm i të mbijetuarve, por përgjegjësi e gjithë shoqërisë.
“Po e dëshmojmë se ky rrugëtim nuk është vetëm i të mbijetuarve, por është përgjegjësi e jona si shoqëri”, ka thënë ajo.“Sot teksa ecim nga Kuvendi i Kosovës drejt monumentit “Heroinat”, simbolikisht po ecim në gjurmët e të mbijetuarve të dhunës seksuale të luftës. Gjurmë të një rrugëtimi të gjatë, me plot lot, siç është sot kjo kohë e vranët, e mbushur me dhimbje, heshtje, paragjykim, shpeshherë edhe dhunë në familje, por edhe me qëndresë edhe forcë për të kërkuar drejtësi. Në çdo hap, edhe në çdo gjurmë që e kemi vendosur sot bashkërisht, qoftë me kryetaren e parlamentit, qoftë me ju aktivistë të nderuar, qoftë me ju pjesëmarrës të institucioneve apo të universitetit, po e dëshmojmë se ky rrugëtim nuk është vetëm i të mbijetuarve, por është përgjegjësi e jona si shoqëri”, tha ajo
Rushiti ka rikujtuar edhe gratë dhe vajzat që, edhe 27 vjet pas luftës, ende nuk kanë gjetur sigurinë dhe mbështetjen e nevojshme për të folur për përjetimet e tyre.“Mendja jonë sot është te ato vajza dhe gra që sot nuk janë me ne. Tek ato të mbijetuara, që edhe pas kaq shumë vitesh, 27 vjet me radhë pas luftës, ende nuk kanë gjetur siguri dhe mbështetje për të folur dhe për të treguar se çfarë ju ka ndodhur gjatë luftës.
Sot pikërisht kjo ecje, këto gjurmë, këto hapa që arritëm me i ndjek prej Kuvendit të Kosovës nëpër sheshin e Prishtinës, ju dedikohen të mbijetuarave të dhunës seksuale të luftës të cilat ende nuk e kanë gjetur guximin të kërkojnë rehabilitim, të kërkojnë njohje ligjore, por edhe të kërkojnë drejtësi. Aktiviteti “Gjurmët e solidaritetit”, të cilin po e organizojmë bashkërisht me Këshillin e Studentëve të Fakultetit Juridik mban një domethënie të veçantë për ne, sidomos që i kemi përkrah të rinjtë. E mbi të gjitha, ky akivitet ka ardhur nga vetë këta të rinj, për faktin se janë një grup, një grup e studentëve të cilët me dëshirën për me sensibilizuar shoqërinë, me dëshirën për me luftuar stigmën, kanë dëshiruar që këto ditë të aktivizmit ta madhështojmë përmes gjurmëve të solidaritetit”, potencoi ajo .
Kurse, kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka bërë thirrje që të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë të aplikojnë për njohjen e statusit të tyre.Ajo tha se, pavarësisht viteve të kaluara nga lufta, paragjykimet shoqërore vazhdojnë t’ua vështirësojnë jetën të mbijetuarave.“I kemi lavdëruar për forcën dhe durimin e tyre, ndërkohë që kemi toleruar shumë nga padrejtësitë që u janë bërë. Për vite me radhë pas luftës, paragjykimet e shoqërisë sonë ua vështirësuan edhe më tej jetën të mbijetuarave të dhunës seksuale.
Në vend që t’ua lehtësonim barrën, i detyruam shumë prej tyre të heshtnin edhe para njerëzve më të afërt. Na u deshën vite për t’u njohur ligjërisht statusin, ndërkaq drejtësia ende mungon për shumë prej tyre. Një meritë e madhe në ndryshimin e qëndrimit të shoqërisë dhe institucioneve ndaj të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës, padyshim që e ka QKRMT-ja, me doktoreshën Feride Rushitin, por edhe gjithë stafin e kësaj organizate. Por po ashtu edhe organizata të tjera që për vite me radhë kanë folur për këtë krim të luftës, pra për dhunën seksuale gjatë luftës. Megjithatë si shoqëri ende nuk kemi arritur që të çlirohemi nga shumë prej këtyre paragjykimeve.
Edhe sot kur një grua denoncon dhunën, shpesh merremi më shumë me sjelljen e saj sesa me veprimet e dhunuesit. E pyesim përse nuk ka folur më herët, përse nuk është larguar nga shtëpia dhe përse është kthyer te dhunuesi. Nëse heqim dorë nga këto paragjykime, gratë do të kenë më lehtë të kërkojnë ndihmë. Një grua që përjeton dhunë duhet të ketë guximin të kërkojë ndihmë, pa pasur frikë se familja apo shoqëria do ta gjykojë. Është përgjegjësi e jona t’i luftojmë këto paragjykime edhe si shoqëri, por po ashtu edhe si institucione”, tha Haxhiu.
Haxhiu theksoi se Kuvendi do të vazhdojë të mbështesë nismat për mbrojtjen e të drejtave të grave, ndërsa bëri të ditur se Komisioni për të Drejtat e Njeriut ka filluar monitorimin e Ligjit për Mbrojtjen nga Dhuna në Familje.Në fund, ajo tha se gjurmët portokalli të vendosura gjatë aktivitetit mund të zbehen me kalimin e kohës, por solidariteti me gratë që kanë përjetuar dhunë duhet të dëshmohet çdo ditë.
“Komisioni tashmë për të drejtat e njeriut ka filluar monitorimin e ligjit për mbrojtjen nga dhuna në familje. Është përgjegjësi kryesore e Kuvendit të Republikës së Kosovës që t’i monitorojë ligjet të cilat nxirren nga Kuvendi, pikërisht që ato ligje të gjejnë zbatim. Gjithashtu zotohem se do të vazhdoj të mbështes nismat që forcojnë të drejtat e grave, mbrojtjen e tyre dhe mundësinë për një jetë të lirë, pra pa dhunë. Pas disa ditësh ndoshta edhe pas shiut e borës së parë, gjurmët portokalli që lamë sot në rrugë do të zbehen. Uroj që solidaritetin që e shprehim sot ta dëshmojmë edhe nesër, por edhe çdo ditë tjetër. Meqë sot kemi po ashtu edhe media të cilat i falënderoj për kontributin e madh që japin.
Dua që edhe unë t’i bashkohem thirrjes së Ferides, t’i bëj ftesë të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës që të aplikojnë për njohjen e statusit të tyre. Është obligim i institucioneve që t’i qëndrojmë pranë pikërisht atyre që kanë përjetuar dhunë, krime lufte, pra që kanë qenë në luftë, por që tashmë janë të mbijetuar të luftës. Prandaj i bëj thirrje që të aplikojnë për njohje të statusit.
Siç e keni parë, komisioni punon me një konfidencialitet të plotë, e kur jemi këtu unë dua t’i falënderoj edhe komisionin për punën e madhe që kanë bërë”, deklaroi Haxhiu .E mbijetuara e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, Vasfije Krasniqi, ka bërë thirrje që gratë që kanë përjetuar dhunë seksuale gjatë luftës të flasin publikisht, të kërkojnë drejtësi dhe të mos heshtin për shkak të paragjykimeve shoqërore.
Gjatë aktivitetit simbolik “Gjurmët e Solidaritetit”, Krasniqi tha se ndihet krenare për iniciativën e të rinjve që nuk e kanë përjetuar luftën, por që po tregojnë solidaritet me të mbijetuarat.Krasniqi theksoi se shumë gra ende nuk flasin publikisht për shkak të presionit nga familja dhe rrethi shoqëror.“Unë sot ndihem jashtëzakonisht krenare nga kjo iniciativë e një brezi të ri që s’e ka përjetuar luftën, me asgjë, po ne të gjithë e dimë se kemi pasur shumë viktima edhe nëse hulumtojmë shumë, secila familje e ka nga një viktimë në shtëpinë e vet.
Unë ju bëj thirrje secilës viktimë me i paraqit rastet, me kërku drejtësi edhe me fol, dëshira më e madhe është që secila viktimë 20 mijë të dalin të flasin publikisht. Edhe ka shumë prej tyre që dëshirojnë, e kanë mundësinë time që të flasin publikisht, po nuk i lë rrethi, nuk i lë bashkëshorti, nuk i lë vëllau, nuk i lë familja. Kështu që unë nuk dua me fol shumë, faleminderit për këtë iniciativë edhe për një mesazh nga zemra që ja vlen secilës viktimë që të ndihen të sigurta, të mbrojtura, të përkrahura, të respektuara, mjaft më me paragjykime”, tha ajo.
Ajo tregoi se dëshira e saj, që nga momenti kur foli publikisht për përjetimet e saj, ishte që bota të mësonte për krimet e kryera nga Serbia në Kosovë.“Për mua dëshira më e madhe ka qenë t’i tregoj botës se çka na ka bërë neve Serbia, se ballafaqimet edhe paragjykimet që t’i marrin ne apo familja nga shoqëria jonë, nga vendi jonë” , deklaroi Krasniqi.

