Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, ka kritikuar procesin e përzgjedhjes së anëtarëve të bordit të Radio Televizionit të Kosovës, duke thënë se ai është cilësuar si i komprometuar edhe nga organizatat e shoqërisë civile që e kanë monitoruar.
Gjatë diskutimit në Kuvend, Zemaj ka theksuar se organizatat monitoruese kanë qenë të pranishme gjatë gjithë procesit, nga fillimi deri në përfundim, dhe se vlerësimi i tyre duhet të merret parasysh, shkruan IndeksOnline.
“Organizatat e shoqërisë civile që kanë monitoruar procesin, nga fillimi deri në fund, e kanë cilësuar si të komprometuar përzgjedhjen e anëtarëve të bordit të RTK-së”, ka deklaruar Zemaj.
Ai ka sqaruar se kritikat e tij nuk kanë pasur të bëjnë me CV-të apo emrat e kandidatëve, por me mënyrën se si është zhvilluar procesi i përzgjedhjes.
Zemaj ka reaguar edhe ndaj deklaratave të deputetit Bajrami, duke i cilësuar ato si ofenduese për deputetët e Kuvendit të Kosovës.
“Ajo që tha deputeti Bajrami është ofendimi më i madh për deputetët e Kuvendit të Kosovës. Nuk është e drejtë të vihet në pikëpyetje shkollimi dhe përgatitja e tyre profesionale, pasi ata janë zgjedhur nga qytetarët për t’i përfaqësuar”, ka thënë ai./IndeksOnline/

