Një nga temat që ka tërhequr më së shumti vëmendje pas publikimit të videolojës së shumëpritur GTA 6 është personazhi i Mandy-t, e cila që në kapitullin e parë të lojës përpiqet të joshë Jasonin dhe ta largojë vëmendjen e tij nga Lucia.
Pamja e saj dhe format trupore kanë nxitur reagime të shumta në rrjetet sociale, ndërsa shumë lojtarë kanë vënë re ngjashmëri mes personazhit virtual dhe modeles amerikane Marissa DuBois.
Kjo e fundit është bërë pjesë e diskutimeve në internet pasi fansat e lojës filluan ta krahasojnë me Mandy-n. Ajo vetë reagoi ndaj këtyre pretendimeve, duke publikuar një video në platformën X, përmes së cilës la të kuptohej se mund të kishte marrë pjesë në skanimin e trupit për krijimin e personazhit.
Megjithatë, në një intervistë për Unilad, modelja sqaroi se videoja ishte publikuar si shaka.
“Videoja në të vërtetë ishte realizuar prapa skenave gjatë xhirimeve të një fushate të mëparshme për një markë të modës. Njerëzit tashmë kishin filluar të më krahasonin me Mandy-n, ndaj e publikova në X për argëtim. Nuk e prisja që të tërhiqte kaq shumë vëmendje”, shpjegoi ajo.
Kush është Marissa DuBois?
Marissa DuBois është modele dhe influencuese amerikane nga Majami, e njohur në rrjetet sociale me emrin “Reality with Riss”.
Në Instagram ajo ndiqet nga më shumë se 1.2 milionë persona. Ajo u bë e njohur për publikun e gjerë pasi videot e paraqitjeve të saj në pasarelat e modës u shpërndanë gjerësisht në rrjetet sociale.
Modelja është dalluar veçanërisht në sfilatat e veshjeve të banjës, ndërsa prej vitesh angazhohet për përfaqësimin më të madh të grave me forma trupore në industrinë e modës.
Krahasimet me Mandy-n e bëjnë të ndihet krenare
DuBois nuk e fsheh se krahasimet me personazhin e njohur të GTA 6 i pëlqejnë.
“Vetë fakti që njerëzit më lidhin me një seri kaq ikonike dhe me një personazh të tillë më emocionon jashtëzakonisht shumë”, tha ajo.
Modelja shtoi se gjithçka i duket disi joreale, por po e shijon vëmendjen që ka marrë që kur lojtarët vunë re ngjashmërinë mes saj dhe Mandy-t.
Ajo foli edhe për rëndësinë e përfaqësimit të formave të ndryshme trupore në videolojëra, duke theksuar se bota virtuale duhet të pasqyrojë më mirë realitetin.
“Gratë me forma trupore ekzistojnë në jetën reale dhe janë kudo rreth nesh, prandaj edhe videolojërat duhet të paraqesin gra të të gjitha formave dhe madhësive”, deklaroi DuBois.
Ajo tregoi se gjatë gjashtë viteve të fundit në Majami është angazhuar për përfaqësim më të madh të grave me forma trupore në industrinë e modelimit.
Videot e saj kanë grumbulluar më shumë se 55 milionë shikime, ndërsa për të kanë shkruar edhe media ndërkombëtare, përfshirë CNN dhe Cosmopolitan.
Megjithatë, deri më tani nuk është konfirmuar se Rockstar Games e ka përdorur DuBois si model për krijimin e pamjes së Mandy-t.
“Një fitore e madhe për të gjitha gratë me forma trupore”
Pavarësisht nëse ngjashmëria është rastësi apo krijuesit e GTA 6 janë frymëzuar nga estetika e Majamit, modelja thotë se është e lumtur që një personazh si Mandy ka tërhequr kaq shumë vëmendje.
“Në çdo rast, këtë e konsideroj një fitore të madhe për të gjitha gratë me forma trupore”, përfundoi ajo.
Ndërkohë, zërin e personazhit Mandy në GTA 6 e ka huazuar aktorja Lexie Shoaibi, e cila ka marrë pjesë edhe në regjistrimin e lëvizjeve të personazhit. /Telegrafi/

