Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se sot në Bruksel ka marrë pjesë në Samitin BE–Ballkani Perëndimor, ku ka kërkuar një mesazh uniteti nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian për procesin e integrimit evropian të Kosovës.
Ai ka rikujtuar se muajin e ardhshëm bëhen katër vjet nga dorëzimi i aplikimit të Kosovës, duke theksuar se progresi i vendit e meriton statusin e kandidatit dhe hapjen e negociatave për anëtarësim.
Postimi i plotë:
Sot në Bruksel mora pjesë në Samitin BE–Ballkani Perëndimor.
Kërkova që nga ky samit të dalë një mesazh uniteti, në mënyrë që Këshilli t’i kërkojë më në fund Komisionit të na dërgojë pyetësorin dhe të japë opinionin për aplikimin tonë për anëtarësim. Muajin e ardhshëm mbushen katër vjet nga aplikimi.
Progresi ynë e meriton statusin e kandidatit dhe hapjen e negociatave. Në shumicën e indekseve kryesore ndërkombëtare, Kosova ka përparuar më shpejt se çdo vend tjetër i rajonit. Kjo vlen për sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit, të drejtat politike dhe liritë civile. Ekonomia jonë vazhdon të rritet në mënyrë të qëndrueshme: në gjysmën e parë të këtij viti, rritja ishte 4.7%. Mbështetja e qytetarëve për BE-në është ndër më të lartat në rajon. Jemi plotësisht të harmonizuar me Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë së Përbashkët të BE-së, përfshirë sanksionet ndaj Rusisë.
Para një dekade e ca kishte lodhje nga zgjerimi, e tani ka lodhje nga moszgjerimi. Është koha që kjo të ndryshojë.

