KORREKT / SOT25 nëntor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Lajme

Costa: BE-ja rikonfirmon perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor

Costa: BE-ja rikonfirmon perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor

Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, ka deklaruar se anëtarësimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian është një mundësi reale dhe se ato duhet ta shfrytëzojnë momentumin aktual për të përparuar në rrugën drejt integrimit evropian, raporton Ekonomia Online.

Pas përfundimit të Samitit Bashkimi Evropian – Ballkani Perëndimor, Costa ka thënë se ky ishte samiti i dytë i mbajtur gjatë këtij viti, duke vlerësuar se intensiteti i takimeve dëshmon angazhimin politik të BE-së ndaj rajonit.

Ai ka theksuar se situata sfiduese gjeopolitike e bën edhe më të domosdoshëm forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Bashkimit Evropian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor.

“Ne sapo kemi përfunduar Samitin Bashkimi Evropian – Ballkani Perëndimor, samitin tonë të dytë këtë vit. Frekuenca e kontakteve tona pasqyron intensitetin e angazhimit tonë politik me rajonin. Situata sfiduese gjeopolitike vetëm sa e thekson nevojën për lidhje gjithnjë e më të ngushta ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor. Samiti i sotëm rikonfirmoi perspektivën e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. Mesazhi im për të gjithë partnerët ishte i qartë: vazhdoni me këtë momentum dhe përmbushni reformat që do t’ju çojnë drejt Bashkimit Evropian. Zgjerimi është një mundësi reale dhe duhet shfrytëzuar”, ka deklaruar Costa.

Ai ka bërë të ditur se në këtë samit është shqyrtuar progresi i arritur që nga takimi i mëparshëm në Tivat, si dhe janë diskutuar mundësitë për avancimin e mëtejshëm të integrimit gradual të vendeve të rajonit në Bashkimin Evropian.

Sipas tij, qytetarët e Ballkanit Perëndimor tashmë janë duke i ndier përfitimet e këtij procesi, ndërsa BE-ja po shqyrton mundësi të reja për ta thelluar edhe më shumë këtë qasje.

Costa ka veçuar përparimin e Malit të Zi dhe Shqipërisë, duke thënë se këto dy vende dëshmojnë se anëtarësimi në Bashkimin Evropian nuk është një iluzion, por një mundësi konkrete për shtetet që angazhohen në përmbushjen e obligimeve.

Ai ka bërë të ditur se gjatë këtij viti ka nisur hartimi i traktatit të anëtarësimit për Malin e Zi, një hap që, sipas tij, nuk ishte ndërmarrë për më shumë se dhjetë vjet.

“Përparimi i bërë nga Mali i Zi dhe Shqipëria dëshmon se anëtarësimi në Bashkimin Evropian nuk është një iluzion, por një mundësi reale për ata që angazhohen. Këtë vit kemi filluar hartimin e traktatit të anëtarësimit të Malit të Zi, një hap që nuk e kemi ndërmarrë për më shumë se dhjetë vjet. Edhe Shqipëria ka filluar t’i përmbyllë kapitujt e negociatave”, ka thënë ai.

Presidenti i Këshillit Evropian ka theksuar se edhe partnerët e tjerë të Ballkanit Perëndimor mund të shënojnë përparim në rrugën e tyre drejt anëtarësimit, nëse janë të gatshëm për një gjë të tillë.

Megjithatë, ai ka nënvizuar se procesi i integrimit evropian nuk varet vetëm nga reformat që duhet të përmbushin vendet kandidate, por edhe nga bashkëpunimi rajonal, pajtimi dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore.

“Rruga drejt Bashkimit Evropian nuk ka të bëjë vetëm me përmbushjen e reformave të nevojshme. Bashkëpunimi rajonal, pajtimi dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore janë parakushte kyçe për anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Pres me padurim përparim të mëtejshëm në zgjidhjen e çështjeve dypalëshe. Sfidat që burojnë nga e kaluara duhet të tejkalohen. Është koha të shikojmë përpara dhe jo prapa. Vetëm atëherë partnerët tanë të Ballkanit Perëndimor mund të shënojnë përparim të vërtetë dhe të marrin përgjegjësitë e tyre si anëtarë të ardhshëm të një Evrope të qëndrueshme, të begatë dhe të bashkuar”, ka deklaruar Costa.

Në fund, ai ka theksuar se vetë Bashkimi Evropian është dëshmi e rëndësisë së pajtimit dhe paqes, duke rikujtuar se unioni është ndërtuar mbi këto parime dhe se procesi i zgjerimit ka qenë thelbësor për avancimin e tij.

“Vetë Bashkimi Evropian është dëshmi e kësaj qasjeje. Ai u ndërtua mbi pajtimin dhe paqen, ndërsa zgjerimi ka qenë thelbësor për përparimin e tij”, ka përfunduar presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa.

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.