Rasti i bariut Hashim Miftari, i cili u mbajt për 48 orë në ndalim pasi njëra nga lopët e tij hyri në oborrin e Gjykatës në Graçanicë, ka marrë një zhvillim të ri.
Miftari, së bashku me avokatin e tij, Tomë Gashi, i janë drejtuar Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), duke kërkuar inicimin e procedurave për shkarkimin e prokurorit Blerim Igrishta, i cili kishte urdhëruar ndalimin e tij.
Lajmin e ka bërë të ditur avokati Gashi përmes një postimi në Facebook, ku ka njoftuar se kërkesa i është dorëzuar kryesuesit dhe anëtarëve të KPK-së.
Sipas Gashit, kërkesës i janë bashkëngjitur edhe provat që, sipas tij, dëshmojnë dyshimet për veprime të kundërligjshme nga ana e prokurorit.
“Kërkesës për shkarkimin e prokurorit Blerim Igrishta i kemi bashkangjitur të gjitha provat që vërtetojnë se në veprimet e këtij prokurori manifestohet dyshimi i bazuar se ky prokuror me rastin e arrestimit të paligjshëm – caktimin e masës së ndalimit për 48 orë kundër klientit tim z. Hashim Miftari, lopa e të cilit më 13.11.2026 ka hyrë për të kullotur në oborrin e Gjykatës në Graçanicë”, ka shkruar Gashi.
Ai ka kërkuar që Igrishta të shkarkohet dhe të hetohet për veprat penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare dhe privimit të kundërligjshëm të lirisë. Avokati gjithashtu ka pretenduar se prokurorit më herët i është shqiptuar një masë disiplinore.
Si përfundoi bariu në ndalim për shkak të lopës?
Ngjarja kishte ndodhur më 13 nëntor 2026, kur njëra nga lopët e Hashim Miftarit ishte ndarë nga tufa dhe kishte hyrë në oborrin e Gjykatës në Graçanicë.
Në një rrëfim për KALLXO.com, Miftari kishte treguar se kishte shkuar pas kafshës për ta nxjerrë nga oborri i gjykatës, por situata kishte përfunduar me ndërhyrjen e policisë dhe ndalimin e tij për 48 orë.
“Unë i kam 20 e ca copë lopë. Është ndarë prej tufës dhe me siguri qentë e kanë lehur edhe u fut në oborrin e gjykatës. Edhe unë kam shkuar mbas lopës”, kishte rrëfyer ai.
Sipas Miftarit, kur kishte arritur te gjykata, kishte tentuar t’i hapte dyert për të hyrë në oborr dhe për ta marrë lopën, por ato ishin të mbyllura. Në atë moment, sipas tij, kishin arritur zyrtarët policorë.
Ai kishte pretenduar se kishte pasur edhe një debat me kryetarin e gjykatës, i cili, sipas rrëfimit të tij, i kishte kërkuar sigurimit që të mos ia kthente lopën.
Miftari kishte treguar se më pas ishte ftuar në stacion policor, ku ishte intervistuar. Sipas tij, pas marrjes së deklaratës ishte njoftuar se do të ndalohej për 48 orë me urdhër të prokurorit, nën dyshimin për veprën penale “Dëmtim i pronës”.
Në rrëfimin e tij, bariu kishte ngritur pretendime edhe për mënyrën e trajtimit nga policia gjatë ndalimit.
Ai kishte thënë se kishte kërkuar të kontaktonte familjen dhe të angazhonte një avokat, por pretendoi se nuk i ishte mundësuar një gjë e tillë.
“Unë e kam kërkuar avokatin dhe më ka thirrë gruaja në telefon. I thashë jam në polici dhe më kanë thënë ndërpreje telefonin dhe ma kanë marrë telefonin. Kam tentu me thirrë djalin, por nuk më kanë lejuar”, kishte deklaruar Miftari.
Ai ishte dërguar në qendrën e mbajtjes në Lipjan, ku kishte qëndruar deri në lirimin e tij.
Miftari kishte treguar se shqetësimi i tij kryesor gjatë ndalimit ishte gjendja e bagëtive që kishte lënë në shtëpi pa përkujdesje.
“Problemin e kisha se s’ka kush i kqyrë lopët, sepse unë i kam 20 copa lopë e dhi, gruaja nuk mundet”, kishte rrëfyer ai.
Po ashtu, Miftari kishte pretenduar se rreth dy muaj para incidentit kishte pasur një mosmarrëveshje me kryetarin e Gjykatës në Graçanicë, lidhur me hedhjen e mbeturinave pranë fermës së tij.
Ai kishte pretenduar se gjatë atij konflikti ishte përfshirë edhe policia dhe se kishte pasur një përplasje me kryetarin e gjykatës.
Pas lirimit, Miftari kishte paralajmëruar se do t’u drejtohej Avokatit të Popullit, Këshillit Prokurorial dhe Inspektoratit Policor të Kosovës.
Tash, me kërkesën e dorëzuar në KPK nga ai dhe avokati i tij, rasti ka marrë një dimension të ri institucional.
Mbetet të shihet se si do të veprojë Këshilli Prokurorial i Kosovës lidhur me kërkesën për shkarkimin e prokurorit Blerim Igrishta dhe pretendimet e ngritura nga mbrojtja e Miftarit. /Lajmi.net/

