Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, ka deklaruar se ishte një kënaqësi e veçantë të festonin së bashku në Prishtinë 114-vjetorin e Pavarësisë dhe 82-vjetorin e Çlirimit të Shqipërisë, në praninë e përfaqësuesve më të lartë të institucioneve të Republikës së Kosovës, miqve dhe bashkëpunëtorëve tanë.
Përmes një postimi në Facebook, Malaj tha se mbrëmja e kaluar, e organizuar edhe në kuadër të “Albania’s European Week”, sipas tij, ishte një dëshmi e lidhjeve të thella historike e vëllazërore që bashkojnë dy vendet, por edhe e përgjegjësisë për t’u dhënë këtyre lidhjeve një përmbajtje gjithnjë e më të fortë strategjike dhe evropiane, transmeton IndeksOnline.
“Marrëdhënia e veçantë vëllazërore mes Shqipërisë dhe Kosovës duhet të vijojë të përkthehet në bashkëpunim konkret, zhvillim ekonomik, ndërlidhje më të madhe infrastrukturore e energjetike dhe mbështetje të ndërsjellë për aspiratat tona evropiane dhe euroatlantike. Besoj fort se e ardhmja jonë është në një Evropë të bashkuar, ku Shqipëria dhe Kosova do të kontribuojnë së bashku si vende me histori, identitet dhe vizion të përbashkët”, u shpreh ai.
“Mirënjohje të gjithë përfaqësuesve institucionalë, miqve dhe bashkëpunëtorëve që na nderuan me praninë e tyre. Një falënderim i veçantë për të gjithë ata që kontribuuan në realizimin e kësaj mbrëmjeje, e cila dëshmoi edhe një herë se lidhja mes Shqipërisë dhe Kosovës nuk është vetëm një trashëgimi e së kaluarës, por një angazhim i përbashkët për të ardhmen”.

