Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka udhëtuar drejt Brukselit, ku sot do të marrë pjesë në Samitin Bashkimi Evropian – Ballkani Perëndimor, ku liderët e BE-së dhe të vendeve të rajonit do të diskutojnë për procesin e integrimit evropian, reformat dhe bashkëpunimin rajonal.
Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, Kurti do të përfaqësojë Kosovën në këtë takim, i cili mbahet më 25 nëntor në Bruksel, transmeton lajmi.net.
Në samit, Bashkimin Evropian do ta përfaqësojnë presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Sipas agjendës së publikuar nga Këshilli Evropian, një prej temave kryesore do të jetë perspektiva e anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, si dhe nevoja për përshpejtimin e reformave dhe përmbushjen e zotimeve që lidhen me procesin e integrimit.
Një vëmendje e veçantë në këtë takim do t’i kushtohet edhe Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, i cili synon afrimin ekonomik të vendeve të rajonit me BE-në dhe integrimin gradual në tregun e përbashkët evropian. Ky plan parasheh deri në 6 miliardë euro për reforma dhe investime në rajon, përveç 29 miliardë eurove të parapara përmes Planit Ekonomik dhe të Investimeve.
Në agjendën e samitit përfshihen gjithashtu bashkëpunimi rajonal, marrëdhëniet e mira fqinjësore, pajtimi, siguria dhe mbrojtja, si dhe përballja me kërcënimet kibernetike dhe ndikimet e huaja.
Takimi pritet të shërbejë edhe si mundësi për liderët evropianë që të riafirmojnë mbështetjen për perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe të diskutojnë për përparimin e tyre në procesin e integrimit.
Sipas programit zyrtar, aktivitetet në Bruksel nisin në orën 17:00 me ardhjen e pjesëmarrësve, ndërsa seanca plenare është paraparë të mbahet në orën 18:00. Pas fotografisë së përbashkët dhe konferencës për media, samiti do të përmbyllet me një darkë pune në orën 20:00.
Ky është samiti i dytë BE – Ballkani Perëndimor gjatë vitit 2026. Takimi i mëparshëm ishte mbajtur në Tivat të Malit të Zi, në muajin qershor./lajmi.net/

