Policia e Kosovës ka paralajmëruar qytetarët dhe institucionet për një e-mail mashtrues që po dërgohet në adresa të ndryshme elektronike, kinse në emër të ushtruesit të detyrës së drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Kosovës, kolonel Fehmi Hoti, dhe Agjencisë së Kosovës për Siguri Kibernetike.
Sipas njoftimit të Policisë, mesazhi përmban titullin “Raport: Krim Kibernetik/Droga të paligjshme” dhe nuk është dokument zyrtar i asnjërit prej institucioneve të përmendura.
Në këtë e-mail, pranuesve u kërkohet që brenda 24 orëve të paraqiten në selinë e policisë, në Departamentin e Krimit Kibernetik, ose të dërgojnë një përgjigje të menjëhershme, në të kundërtën kërcënohen me arrestim, transmeton Klankosova.tv.
Policia u bën thirrje të gjithë atyre që pranojnë mesazhe të tilla që t'i injorojnë ato dhe të mos ndërmarrin veprime apo të kthejnë përgjigje.
"Andaj, të gjithë atyre që pranojnë shkresa të tilla me përmbajtje të ngjashme ku thuhet: ‘Keni 24 orë kohë për t'u paraqitur në selinë e policisë, departamentin e krimit kibernetik ose për të dërguar një email të menjëhershëm pasues, përndryshe do të bëhet një arrestim i menjëhershëm’, duhet të dini se kjo nuk është shkresë zyrtare dhe se ky është një e-mail mashtrues, të cilën duhet ta injoroni, e assesi të merrni veprime apo të ktheni përgjigje.", thuhet në njoftim.
Ndërkohë, Policia ka bërë të ditur se këtë dukuri do ta trajtojë dhe, bazuar në elementet që përmban mesazhi, do të ndërmarrë hapa të mëtejshëm./Klankosova.tv

