Katër vjet pas një përplasjeje të qëllimshme me një asteroid, një anije hapësinore ka mbërritur në vendin e ngjarjes për të analizuar nga afër pasojat e këtij eksperimenti historik.
Bëhet fjalë për misionin “Hera” të Agjencisë Evropiane të Hapësirës (ESA), i cili synon të vlerësojë dëmet e shkaktuara nga anija kozmike “DART” e NASA-s, që në vitin 2022 u përplas qëllimisht me një asteroid për t'ia ndryshuar trajektoren, transmeton klankosova.tv.
Anija “DART” u shkatërrua gjatë përplasjes, ndërsa misioni i ri evropian do të analizojë ndikimin e saj dhe ndryshimet që ka pësuar asteroidi. Pamjet e para nga vendi i përplasjes pritet të publikohen gjatë ditës së mërkurë.
Sipas BBC, ky eksperiment nuk ishte ndërmarrë për shkak të ndonjë rreziku të afërt për Tokën, por si testi i parë praktik i mbrojtjes planetare, për të parë se si mund të veprohet në rast se një asteroid do të kërcënonte planetin tonë.
Patrick Michel, hetuesi kryesor i misionit “Hera” në ESA, e ka krahasuar misionin me një inspektor që rikthehet në vendin e ngjarjes për të zbuluar se çfarë ka ndodhur pas përplasjes.
Eksperimenti u zhvillua në një sistem me dy asteroide. Më i madhi, i quajtur Didymos, ka një diametër prej rreth 730 metrash, ndërsa rreth tij rrotullohet asteroidi më i vogël, Dimorphos, me diametër prej rreth 150 metrash.
Përmes këtij misioni, shkencëtarët synojnë të kuptojnë më mirë efektet e përplasjes dhe të vlerësojnë nëse kjo metodë mund të përdoret në të ardhmen për të mbrojtur Tokën nga asteroidët potencialisht të rrezikshëm.

