Kanë nisur të kthehen paratë e dhuruara nga qytetarët përmes platformës GoFundMe në rastin e Endrit Azemit nga Gjilani, i cili kishte kërkuar ndihmë financiare për shkak të përballjes me leukeminë.
Sipas një njoftimi të pranuar nga disa prej donatorëve, GoFundMe ka bërë të ditur se pagesa e bërë për fushatën në emër të Endrit Azemit është rimbursuar.
Në mesazhin e dërguar nga platforma thuhet se për donacionin është lëshuar rimbursim dhe se shuma do t’i kthehet donatorit brenda 3 deri në 7 ditësh pune, raporton IndeksOnline.
Edhe të dhënat e transaksionit bankar të publikuara në pamje tregojnë se pagesa e bërë përmes GoFundMe është kthyer.
Endrit Azemi nga Gjilani kishte kërkuar ndihmën e qytetarëve përmes një fushate për mbledhjen e mjeteve për trajtimin e sëmundjes së tij, e që më pas u zbulua se e gjithë kjo fushatë ng ana e Endriti ishte mashtrim.
Një ditë me parë Policia e Kosovës ka dhënë detaje të fundit rreth arrestimit të Endrit Azemit. Sipas policisë, Endriti ka mashtruar për sëmndjen e tij, dhe paratë e mbledhura do t’iu kthehen donatorëve.
“Pas veprimeve hetimore, llogaritë bankare të identifikuara në territorin e Republikës së Kosovës janë bllokuar dhe me vendim të Prokurorit të Shtetit mjetet e grumbulluara do të mbeten të ngrira deri në vendimin e gjykatës. Ndërkohë për fondet e grumbulluara përmes platformës GoFundMe në Gjermani, ka filluar procesi i rimbursimit të donatorëve”, thuhej në njoftimin e policisë. /IndeksOnline/

